NËPËR FILM

Bekim Guri së shpejti debuton me film të metrazhit të gjatë

Regjisori i njohur kosovar i cili jeton dhe punon në Gjermani, Bekim Guri, ishte mysafiri i radhës në “Nëpër Film”. Gjatë intervistës së realizuar për emision ai foli për triumfin e filmit, “Një fëmijë”, i cili u shpall “Filmi më i mirë kombëtar” në edicionin e fundit të “DokuFestit”, shfaqjen e tij në Festivalin e filmit në Tiranë, angazhimet e vazhdueshme në kinematografi dhe punën rreth realizimit të filmit të parë të metrazhit të gjatë.

“Ka qenë ndjesi shumë e mirë sepse ishte hera e katërt që marr çmim në ‘DokuFest’ dhe fitoj si ‘Filmi më i mirë kombëtar’, që do të thotë se nuk kam mbetur anash me punët e mia, dhe pavarësisht se bëjë edhe punë të tjera për të arritur të prodhojë filma edhe këtë radhë, projekti im ishte i financuar nga QKK por prapë kemi investuar nga paratë tona për ta realizuar atë. Do të thotë dashuria që unë e kam për filmin nuk po më kthehet për të keq. Kjo është e mira, që filmi im po vlerësohet nga publiku vendor dhe ai ndërkombëtarë, e sidomos nga ‘DokuFesti’ që ka shërbyer si urë lidhëse për mua me disa distributorë”.

Filmi i shkurtër “Një fëmijë” po ashtu u prezantua në kuadër të Festivalit të filmit në Tiranë ku ishte konkurrent por nuk arriti të shpërblehet. Guri tha se puna e shpërblimeve është shumë subjektive.

“Po flas pa e ofenduar askënd, por pasi është shfaqur filmi më kanë kontaktuar shumë njerëz dhe pasi janë ndarë çmimet më kanë thënë se janë zhgënjyer me ndarjen e çmimeve. Për mua, puna e shpërblimeve është shumë subjektive sepse një film nuk duhet të fitojë patjetër, por më kanë bërë përshtypje disa reagime të personave të cilët më kanë shkruar duke më thënë ‘pse nuk fitove ti’. Këto janë vendime shumë personale të jurive, megjithëse ka edhe tendenca korruptive, por unë nuk jam fokusuar në këto gjëra ani pse i di disa gjëra të cilët nuk duhet thënë publikisht, por ajo mbetet në përgjegjësinë e secilit. Pra nuk më bënë përshtypje nëse nuk fitoj çmim sepse kur unë e realizojë një film e bëjë çka më shqetëson mua personalisht, dhe nëse filmi nuk ec mirë nëpër festivale mjafton që unë e kam nxjerrë një shqetësim timin nga vetja dhe kam arritur që të paktën ta filloj një diskutim”.

I pyetur për ecurinë dhe sukseset e fundit që filmat kosovarë po e korrin anembanë botës, regjisori deklaroi: “Kinemaja e Kosovës është në rrugë të drejtë dhe të mirë dhe ambicia e filmbërësve tanë është goxha e madhe, qoftë në mënyrë të pavarur ose institucionale. Sepse ka regjisorë, ndër ta jam edhe unë, që i kanë prodhuar filmat vetë dhe kanë fituar çmime dhe kjo gjë është për t’u vlerësuar për faktin që edhe nëse nuk kanë pasur përkrahje nga shteti ata nuk janë dorëzuar. Çdo gjë që ti e pëlqen është sakrificë dhe duhet shijuar procesin, pavarësisht nëse vjen me vonesë, është puna që ti e dashuron dhe në të cilën edhe po investon. Është një moment historik për dy filma të Kosovës dhe në këtë rast duhet lënë anash të gjitha inatet personale, gjë që unë nuk kam inat me askënd, e ata janë filmat ‘Zgjoi’ dhe ‘Pa vend’. Pra është një moment vërtetë historik që me arrit të paktën që njëri prej këtyre projekteve të nominohet për ‘Oscar’, sepse kanë marrë pjesë në festivale të mëdha dhe kanë marrë shumë çmime. Pavarësisht se trajtojnë tema shumë të kundërta, megjithëkëtë mbesin dy filma që po na gëzon çdo sukses i tyre”.

Bekim Guri ndau me shikuesit e Kohavisionit hollësi rreth filmit debutues të metrazhit të gjatë për të cilin, ndër të tjera, tha se do ta ketë një buxhet të lartë të realizimit dhe do të xhirohet në dy shtete.

“Duhet hapur bashkëpunimin edhe më shumë, sidomos me Zvicrën dhe Gjermaninë, atë po e bëjë tani edhe unë me projektin e metrazhit të gjatë i cili vendxhirim do ta ketë Zvicrën dhe Kosovën. Filmi flet për izolimin që e kemi ne si popull, pra çështja e liberalizimit të vizave, flet për të zhdukurit që është një realitet që sjell pasoja të mëdha tek një familje, si dhe flet për teknologjinë apo përdorimin e telefonave që mund të sjellin aksidente të mëdha. Këto janë tri elementet kryesore që e karakterizojnë filmin i cili vjen me një buxhet goxha të madh”.

Për fund, regjisori tregoi se kjo ishte koha e duhur për të që ta realizonte filmin e parë të metrazhit të gjatë.