NËPËR FILM

“Ditë e kuqe”, filmi i ri i shkurtër i Besim Ugzmajlit

I ftuari i radhës në “Nëpër Film” ishte regjisori dhe skenaristi i njohur, Besim Ugzmajli. Në emision ai diskutoi rreth filmit të ri të shkurtër, “Ditë e kuqe”, premierën e tij në Festivalin ndërkombëtar të filmit në Tiranë dhe projektet e ardhshme kinematografike.

“Ky ka qenë 19-vjetori i festivalit dhe këto vjetët e fundit konsiderohet ngjarje kualifikuese për ‘Oscar’ dhe normalisht që si festival ka marrë një dimension shumë më të madh dhe më serioz. Ne me premierë kaluam shumë mirë, do të thotë komentet dhe përshtypjet e njerëzve ishin shumë të mira. sigurisht se në raste të këtilla më shumë merr komente të mira, kritikat njerëzit hezitojnë t’i thonë gjë që konsideroj se është gabim. konsideroj se njerëzit duhet të jenë sa më të hapur t’i shprehim mendimet e tyre të sinqerta, por ne kryesisht morëm vetëm komente pozitive rreth filmit tonë”.

Tutje regjisori tha se për fat të keq, si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë, mungon një kritikë e filmit dhe artit në përgjithësi, çka ai e konsideron se në njëfarë forme kjo do të shërbente në favor të industrisë, nëse do të ekzistonin kritikë të cilët merren ekskluzivisht me atë punë dhe do të kishin bërë analizë të detajuar të secilit projekt filmik apo produkti që e prodhon Kosova, Shqipëria apo shqiptarët kudo nëpër botë.

“Ditë e kuqe e rrëfen historinë e një nëne e cila mundohet me çdo kusht t’ia realizoj dëshirën e vajzës së saj për të qenë konkurruese në një festival, ku një e shurdhër është jo e mirëseardhur. Në rolet kryesore të këtij projekti vijnë aktorët: Teuta Krasniqi, Agron Shala, Orgesa Mehmeti, Blin Sylejmani, Gresa Gashi, Sherif Bega, Egëzona Salihu, Milot Salihu dhe të tjerë.

Filmi i shkurtër pritet ta vazhdojë rrugëtimin nëpër festivale të rëndësishme ndërkombëtare, dhe këtë punë regjisorja ia ka besuar kompanisë italiane për distribuimin e filmit, “Premier Film”.

Me gjithë sfidat me të cilat filmbërësit kosovarë përballen në realizimin e një projekti filmik, Ugzmajli thotë se nuk duhet lejuar që ato ta pengojnë përkushtimin dhe angazhimin e tyre.

“Unë thjeshtë ndonjë ide që më tundon ose e cila mendoj se ia vlen për t’u shndërruar në film, në momentin që e hedh në letër, si me magji bëhet puna ta realizoj atë. Prandaj edhe regjisorëve të rinj u sugjeroj që të mos mendojnë gjithmonë rreth mundësive, nëse i gjejnë mjetet financiare apo jo, por të mendojnë të bashkëpunojnë me njerëz të cilët besojnë në ta dhe kështu do të arrijnë ta krijojnë një lloj CV-je kinematografike, për të arritur pastaj tek ata filma ku paguhet secili person për punën dhe angazhimin e tij, dhe ku do të punohet në kushte më të mira”.

Në fund, Ugzmajli tregoi se këto dy vjetët e fundit ka punuar në realizimin e një dokumentari që flet për pandeminë e COVID-19, si dhe po vazhdon të punojë në krijimin e skenarit të filmit të tij të parë të metrazhit të gjatë.