NËPËR FILM

Edicioni i 93-të i ceremonisë “Oscar” në kohë pandemie

Në edicionin e fundit të emisionit “Nëpër Film” zhvilluam bisedë me drejtorin e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, me të cilin diskutuam në përgjithësi për edicionin e 93-të të ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve akademike.

“Ceremonia “Oscar” është ngjarja më e rëndësishme për dekada në kinematografinë botërore. Amerika është vendi më i fuqishëm në industrinë e filmit, dhe është industria e tretë më fitimprurëse në botë. Përveç se është industri, ka edhe krijues të jashtëzakonshëm që prodhojnë vazhdimisht filma që na e ndryshojnë botën dhe jetën. Sigurisht se çdo vit, e gjithë kjo krijimtari përballet dhe e konkurron njëra-tjetrën. Prandaj organizimi i kësaj ceremonie në gjithë botën pritet me dëshirë shumë të madhe”.

I pyetur se cili është filmi i tij favorit sivjet, i cili shpreson që të shpërblehet me “Oscar”, Zharku tha që do të dëshironte të triumfojë projekti “Quo Vadis, Aida?”, i cili e përfaqëson Bosnjën në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”.

“Me zemër unë jam për filmin boshnjak që të triumfojë në këtë kategori. “Quo Vadis, Aida?” është një vepër e mrekullueshme e regjisores Jasmila Zbanic e cila Bosnjës i ka sjellë shumë trofe ndërkombëtarë, përfshirë këtu “Ariun e Artë” të Berlinales dhe shumë çmime tjera. Me këtë projekt ajo e trajton një temë jashtëzakonisht të ndjeshme siç është masakra e Srebrenicës, dhe në të përfshihet një ekip i mrekullueshëm i aktorëve nga Bosnja dhe rajoni, përfshirë edhe aktorin kosovar Alban Ukaj. Ajo çka dua të them është se ky film e meriton një vëmendje të këtillë dhe jam shumë i gëzuar që është nominuar për Oscar, dhe me zemër dua që ky çmim të shkojë për filmin si një dedikim për gjitha viktimat e këtij gjenocidi të tmerrshëm”.

Këtë vit propozimi i Kosovës për t’u nominuar për “Oscar” ishte filmi i shumëshpërblyer i Visar Morinës, “Exil”, i cili fatkeqësisht nuk arriti të hyjë në listën e ngushtë të nominimeve.

“Është shumë e rëndësishme që Kosova tani çdo vit e ka një vepër me të cilën ne nuk kemi problem edhe ndihemi shumë krenarë kur e propozojmë. Pra kemi filma të shkëlqyeshëm dhe të vlerësuar ndërkombëtarisht, të cilët konkurrojnë për këtë shpërblim prestigjioz. Unë i kam takuar disa anëtarë të Akademisë të cilët janë adhurues të filmit kosovar, dhe ne pavarësisht se jemi një vend shumë i vogël, prodhojmë çdo vit filma kualitativ të cilët konkurrojnë dhe potencialisht mund të nominohen”.

Tutje, drejtori i QKK-së foli për filmat potencial kosovarë që mund të jenë kandidatë për t’u nominuar për “Oscar”, në edicionin e ardhshëm të kësaj ceremonie.

“Deri në fund të vitit do t'i kemi gjashtë filma, prej tyre pesë janë të regjisoreve gra, të cilët do të konkurrojnë potencialisht që të jenë propozimi i Kosovës për 'Oscar', në vitin e ardhshëm”.

Edicioni i 93-të i ngjarjes më të rëndësishme kinematografike në botë, u mbajt të dielën më 25 prill dhe u transmetua live në kanalin “ABC” dhe në më shumë se 225 shtete të botës.