NËPËR FILM

Blerta Zeqiri flet për angazhimet e fundit dhe projektin e saj të ardhshëm

Regjisorja e njohur kosovare, Blerta Zeqiri, ishte e ftuar në emisionin e radhës, “Nëpër Film”. Në një intervistë të përgjithshme, ajo foli për angazhimin e saj të fundit si ligjëruese në shkollën e filmit dokumentar “Future is Here”, me ç’rast u shpreh e lumtur me talentet që i kanë zbuluar përmes këtij projekti.

“Me këtë projekt, pra shkollën e filmit dokumentar “Fututre is Here”, e kam parë dhe e kam kuptuar që kemi shpresë për të bërë gjëra të mëdha e të bukura në fushën e kinematografisë, sepse rinia jonë është e jashtëzakonshme”, ka deklaruar regjisorja.

E pyetur për mendimin e saj rreth sukseseve të fundit të filmave kosovarë nëpër festivale të ndryshme prestigjioze, Zeqiri tha se është e kënaqur jashtëzakonisht me ecurinë e filmit tonë në botë, duke e potencuar kontributin e grave në këto arritje.

“Regjisoret janë ato që po i bëjnë punët më të mëdha. Në fillim na kanë shty neve grave duke na thënë se ky profesion është për burra dhe jo për gra, madje edhe profesorët në shkolla na i kanë cekur këto gjëra, por sa bukur që tani gjërat kanë ndryshuar dhe sot nuk është më çështje gjinie dëshira për t’u marrë me filmin apo një punë që bëhet”, shtoi tutje Zeqiri.

Ndër të tjera, regjisorja Blerta Zeqiri në këtë intervistë foli edhe për projektin e saj të ardhshëm, në të cilin është fokusuar me shumë seriozitet, e që ka lidhje me arkivimin e trashëgimisë sonë kulturore.

"Shteti ynë duhet të punojë shumë në një drejtim tjetër. Është e vërtetë se ne po prodhojmë sa të duash, po bëjmë filma, po botojmë libra, po shkruajmë poezi, po bëjmë piktura, mirëpo ku po mbesin gjithë ato krijime të shpirtit. Ne nuk kemi arkiv të filmit. Ti e kryen shkollën për regji apo për drejtime tjera, edhe gjatë gjithë kohës nuk mbërrin as me i pa filmat tanë, do të thotë historinë e filmit kosovar”, përfundoi regjisorja.