NËPËR FILM

Zgjim Terziqi së shpejti debuton në film të metrazhit të gjatë

Zgjim Terziqi është regjisor, producent dhe skenarist i njohur kosovar, i cili shquhet për disa filma të suksesshëm të metrazhit të shkurtër.

Me skenarin e tij të fundit ai është përzgjedhur të bëhet pjesë e punëtorisë online, “TFL Next – Film Development”, që realizohet nga “TorinoFilmLab” e që ka lidhshmëri me festivalin e filmit në Torino, i dyti më i madh në Itali, pas festivalit të Venecias.

Skenari me titull “2000: A post War Odyssey”, njëherësh ia mundëson Terziqit të debutojë në film të metrazhit të gjatë, gjë që është mjaft emocionuese për të.

Megjithëse Zgjimi është në pritje të sigurimit të fondeve për ta realizuar këtë skenar në film, ai tregon se planet rreth projektit janë të mëdha.

Kalimin nga filmat me metrazh të shkurtër në ata të metrazhit të gjatë, regjisori dhe skenaristi Terziqi e përshkruan si përvojë të re, me më shumë sfida dhe përgjegjësi, por njëkohësisht mjaft të veçantë.

Regjisori tashmë ka krijuar eksperiencë të pjesëmarrjes në festivale të ndryshme të filmit nëpër botë, që është dritarja kryesore e promovimit të filmave kosovarë. Në këtë fushë nuk i kanë munguar as sukseset me projekte të tilla, si: “Salloni”, “Një muaj” dhe dokumentari “The 50th and 1/2 State”.

I pyetur për rolin e filmit në edukimin e shoqërisë, Zgjimi thotë se për të personalisht ka qenë mjaft i madh, por filmbërjen ai nuk e sheh si motiv në aktivizmin politik.

Ndër të tjera, në intervistën e tij për emisionin “Nëpër Film”, Terziqi tregoi se cilat tema preferon t'i prekë me filmat e tij.

Zgjimi po ashtu foli dhe për rolin e filmbërësve përballë publikut kosovarë, duke i potencuar edhe disa faktorë, që, sipas tij, ndikojnë në interesimin e adhuruesve të filmit për t'i shikuar ose promovuar ata.