Arbëri

Shtëpia shkollë në “Kodër të Trimave” po shkatërrohet, Komuna hesht e Ministria premton

Ka banka, tabela e shumë orendi tjera për të treguar se në këtë shtëpi në lagjen “Kodra e Trimave” është mbajtur mësim.

Objekti, i cili ndryshe njihet si shkolla e Herticve, u shkatërrua nga lufta e fundit në Kosovë, raporton “038” në KTV.

Pronarët tregojnë se intervenuan për ta mbrojtur objektin nga shkatërrimi i tërësishëm.

Sipas tyre, objekti ka rëndësi historike dhe si i tillë duhet të ruhet si trashëgimi për gjeneratat e ardhshme.

Madje, shtëpia shkollë është ndër objektet e pakta që tregon se në Prishtinë ka pasur luftë.

Por, ata janë të zhgënjyer se si Komuna e as Ministria e Kulturës pavarësisht premtimeve ende nuk kanë filluar restaurimin e saj.

Ata e kanë ofruar shtëpinë pa kërkuar asnjë kompensim.

Nga Ministria e Kulturës kanë thënë se objekti është në mbrojtje si aset i trashëgimisë kulturore.

Edona Durguti nga kjo Ministri ka thënë se është duke u përgatitur projekti për ndërhyrjen në këtë objekt.

Ministria ka ndarë buxhet rreth 30 mijë euro për restaurimin e tij.

Ndërkohë, KTV-ja ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Komuna e Prishtinës, por zyrtarë të saj nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.