Arbëri

Sërish punime “te kafet e vogla”, Komuna zotohet t’i kryejë për 2 muaj

Për herë të dytë në gjashtë vjet, rruga “Fehmi Agani” në kryeqytet, do të bllokohet për t’u kryer punime në infrastrukturën nëntokësore.

Kjo, pasi Komuna e Prishtinës ka njoftuar se me përmirësimin e kushteve atmosferike, do të fillojnë punimet për ndërtimin e kanalizimit fekal dhe atmosferik, që do ta mbajnë këtë rrugë të mbyllur për 60 ditë, raporton 038 në KTV.

Atëkohë, punimet patën zgjatur më shumë se një vit, duke i dëmtuar bizneset që operojnë në atë që njihet si “rruga e kafeve të vogla”.

Këtë herë, komuna u ka ofruar bizneseve mundësinë që zgjedhin pranverës dhe vjeshtës, për kryerjen e punimeve.

Ndërmarrësit privatë, të cilët vlerësojnë se ky investim është edhe për të mirën e tyre, kërkojnë vetëm zgjidhje afatgjate dhe kryeje të punimeve me kohë.

Madje, ata duan që hapjen e gropave ta shfrytëzojnë edhe për kyçje në rrjetin e ngrohtores së qytetit - Termokos.

Në Komunën e Prishtinës dhe Ujësjellësin Rajonal “Prishtina” thonë se këto punime do t’i shfrytëzojnë për të kompletuar infrastrukturën nëntokësore.

Mehmeti zotohet se gjithçka do të përfundojë brenda dy muajsh.

Në Termokos thonë se do ta shqyrtojnë kërkesën menjëherë pasi ajo të zyrtarizohet.

“Pas pranimit të kërkesës, ekipet tona përgjegjëse dalin në terren bëjnë matjet dhe vlerësimet e duhura të kapaciteteve aktuale të rrjetit të ngrohjes në pozicionin, ku ato do të duhej të kyçeshin. Pra, në rast se kapacitetet e rrjetit tonë të ngrohjes për atë pjesë të qytetit janë të mjaftueshme për të përballuar furnizimin me ngrohje edhe për këto objekte banesore, patjetër se ne do të mundësojmë kyçjen e tyre dhe rrjedhimisht, edhe furnizimin e tyre me energji ngrohëse”, ka thënë Afërdita Uka, zëdhënëse e NQ “Termokos”.

Në rrugën e cila do të qëndrojë e mbyllur për dy muaj operojnë mbi 20 biznese me rreth 200 punëtorë.