Arbëri

Në Fushën e Pajtimit kthehen mbeturinat inerte, Komuna synon që këtë vit ta përfundojë parkun

Pamje si ato duke u djegur bërlloku shohin shpesh banorët nga ballkonet dhe dritaret e shtëpive e banesave te “Fusha e Pajtimit”, në kryeqytet.

Pak metra larg atyre që njihen si “banesat sociale”, vazhdon të mbijetojë deponia ilegale e mbeturinave inerte, me gjithë pastrimin e saj disa herë, raporton 038 i KTV-së.

Në Fushën e Pajtimit, 28 vjet më parë Anton Çetta, kishte mbledhur mijëra shqiptarë në ngjarjen historike të faljes së gjaqeve. Por aty nuk ka as pllakë që do të tregonte se kjo lagje e ka marrë emrin pikërisht nga ngjarja historike e pajtimit të gjaqeve më 1990.

Banorët ankohen se aty hidhen mbeturina në mënyrë të organizuar, e vazhdimisht, pa u penguar nga askush.

Problem më i madh për ta është era dhe tymi që lirohet nga djegia e mbeturinave, në vendin e destinuar për ndërtimin e një parku.

Në Komunën e Prishtinës kanë thënë se e kanë pastruar këtë hapësirë disa herë.

Ndërsa, projekti për parkun, që kishte ngecur për shkak të një problemi pronësor me ujësjellësin “Prishtina”, sipas tyre, do të vazhdojë këtë vit, pasi janë afër zgjidhjes së problemit.

Këtë e indirekt e kanë konfirmuar edhe në Ujësjellësin Rajonal Prishtina.

Ata kanë pranuar se ka pasur bisedime për këtë cështje, ndërsa kanë shtuar se se Qeveria është 100% aksionare e tyre dhe se ndryshimi i prone bëhet nga ajo.

Në komunë kanë thënë se e kanë të gatshëm projektin për parkun, realizimi i të cilit do të kushtojë rreth 250 mijë euro.

Mirëpo, zyrtarë nga komuna nuk kanë treguar nëse aty do të vendoset pllaka për ngjarjen historike të pajtimit të gjaqeve, të vitit 1990.