Arbëri

Policia e Kosovës kundër idesë që kryeqyteti të ketë polici komunale

Mos harmonizimi i Projektligjit për kryeqytetin me Ligjin për Policinë e Kosovës po e zvarrit miratimin e Projektligjit për Prishtinën.

Në Komisionin Parlamentar për Administratë Publike, ku u diskutua për këtë projektligj, kryetari i Komisionit tha se Policia e Kosovës ka kërkuar që Prishtina të mos ketë polici komunale, raporton KTV.

Por, kundër propozimeve që kanë ardhur nga Policia e Kosovës për këtë projektligj është Lëvizja Vetëvendosje.

I kontaktuar nga KTV-ja, kryetari Shpend Ahmeti ka thënë se kundërshtimet e Policisë së Kosovës nuk janë me vend.

Ahmeti është shprehur se Policia Komunale është shumë me rëndësi për kryeqytetin dhe ka shtuar se projektligji do të kalojë në Kuvend.

Por, harmonizimin me Ligjin për Policinë e Kosovës e ka kërkuar edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë, konkretisht me nenin 7 paragrafi 1.1 të projektligjit, i cili kërkon që Policia të themelojë Drejtorinë Policore të kryeqytetit dhe shton kompetencat e Komunës në sigurinë publike.

Ky paragraf po konsiderohet nga ky mision dhe Policia se është në kundërshtim edhe me nenin 128 të Kushtetutës së Kosovës, i cili përcakton se “Policia e Republikës së Kosovës ka përgjegjësinë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Kosovës”.

Këto komente të këtyre dy institucioneve u janë dërguar anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media.

KTV-ja ka provuar të marrë një qëndrim nga Ministria e Punëve të Brendshme, por zyrtarë të saj nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës.