Arbëri

Prishtinasit thonë që Ahmeti i ka tradhtuar votuesit e Vetëvendosjes

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do të bëjë opozitë në Komunën e Prishtinës, pas dorëheqjes së Shpend Ahmetit nga kjo parti.

Në një reagim të Vetëvendosjes, megjithatë është thënë se Ahmeti ka merita për rritjen e partisë dhe fitoren dy herë radhazi në krye të Prishtinës.

Asamblistë të VV-së në komunë thonë se megjithatë nuk do ta bllokojnë punën e kryetarit të Komunës, raporton KTV.

Por, Vetëvendosje konsideron se Ahmeti është rreshtuar krah atyre që kanë punuar kundër partisë.

“Fatkeqësisht, Shpendi ka zgjedhur që megjithatë të mbajë anën e atyre personave që për mbi një vit e gjysmë punojnë brenda Lëvizjes, kundër Lëvizjes, persona të cilët në valën më të madhe të angazhimit për fushatë e për balotazh, e kalonin kohën nëpër takime informale për prapaskena, duke u marrë me thashetheme përçarëse, e duke pritur të kryheshin zgjedhjet për të dhënë dorëheqjen”, thuhet në kumtesën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurse, deputetja nga kjo parti, Albulena Haxhiu, ka thënë se Ahmeti është bërë kryetar i Prishtinës vetëm sepse ka qenë pjesë e Lëvizjes.

Prishtinasit thonë që Ahmeti i ka tradhtuar votuesit e Vetëvendosjes.

Shpend Ahmeti ka dhënë dorëheqje nga pozitat në Vetëvendosje në ditën kur në Kuvendin Komunal shumica e asamblistëve të partisë së tij votuan kundër raportit financiar.