Vetëvendosje përçahet edhe në komunën e Prishtinës

Vetëvendosje përçahet edhe në komunën e Prishtinës

07 mars 2018 21:05

Për herë të parë që nga shpërfaqja e përçarjeve brenda Lëvizjes Vetëvendosje, asamblistët e kësaj partie kanë qenë të ndarë në votën e tyre në Kuvendin e kryeqytetit, raporton KTV.

Edhe pse Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me të dorëhequrit dhe partnerët tjerë të saj të koalicionit ka 30 nga 51 ulëset në këtë institucion, raporti buxhetor për tremujorin e katërt të 2017-ës ka marrë vetëm 9 vota për. 33 nga 45 asamblistët e pranishëm kanë votuar kundër, ndërsa 3 kanë abstenuar.

I pari që e ka kundërshtuar dhe vlerësuar negativisht raportin e sjellë nga Drejtoria e Financave, ka qenë asamblisti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani. Më i ashpër ishte asamblisti i Lidhjes Demokratike Sokol Havolli, i cili fillimisht e kritikoi Ahmetin për mungesë në seancë.

Më pas, ai tha se pos që raporti është turpërues e ofendues, nuk i përmbush as kriteret ligjore.

Pasi dokumentit të sjellë nga ekzekutivi iu referua vetëm me shkronjën “R”, duke refuzuar ta quajë raport, Blerand Stavileci tha se edhe në vendet afrikane ka raporte më të mira buxhetore. Ish-drejtori i financave, që para pak javësh ka marrë drejtimin e Shërbimeve Publike, Ismajl Kokaj, tha se dokumenti i sjellë nga ai është vetëm informatë. Në këtë seancë, me shumicë votash është miratuar fillimi i hartimit të Planit Zhvillimor “Prishtina 2018-2026” dhe fillimi i hartimit të hartës zonale të kryeqytetit. Këto dallime brenda asamblistëve në pushtet shfaqen vetëm pak ditë pasi kryetari Shpend Ahmeti, në një deklaratë të tij, nuk kishte garantuar se do të jetë kryetar i Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje.

 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme