Viti 2017 në Prishtinë, më pak vrasje e më shumë drogë

Viti 2017 në Prishtinë, më pak vrasje e më shumë drogë

06 mars 2018 13:01

Policia në Prishtinë për një vit ka evidentuar 19 mijë e 358 raste, nga të cilat janë hetuar, zbuluar dhe përcjellë në institucione përkatëse 67.99 për qind e tyre.

Për një vit, sipas një raporti vjetor të Policisë, në Prishtinë janë arrestuar 2259 persona për vepra të ndryshme.

Duke u mbështetur në të dhënat vjetore, Policia ka konstatuar se rendi dhe siguria publike në territorin e rajonit të Prishtinës është brenda parametrave normalë e të qëndrueshëm.

Në raportin vjetor është theksuar se ka pasur pesë vrasje, që është për shtatë më i ulët se në vitin 2016, ose në përqindje ka rënie prej 58.33 për qind. Sa i përket tentim-vrasjeve për vitin 2017 ka pasur 47 raste, dy më shumë se një vit më herët.Rastet e lëndimit të rëndë trupor kanë pësuar një rënie prej 7.77 %. Në këtë periudhë analizuese ka pasur 95 raste të lëndimit trupor, për dallim nga 103 sa ishin më 2016. Ndërsa rastet e lëndimit të lehtë trupor janë rritur për 6.63%. Në vitin 2016 kanë qenë 981 rase të lëndimit të lehtë trupor, ndërsa në vitin 2017 janë raportuar 1046 raste. Edhe rastet e kanosjes kanë shënuar ulje. Më 2017 ishin 626 raste, për dallim nga 677 sa ishin më 2016.

Sa i përket rasteve të blerjes, posedimit, shpërndarjes e shitjes së substancave narkotike këtë vit ka pasur një rritje të konsiderueshme. Për një vit janë evidentuar 349 raste të tilla, ose rritje prej 116.77 për qind në krahasim me vitin 2016 kur ishin 161 raste.

Një rënie të lehtë prej 0.27 %, kanë shënuar edhe krimet kundër pasurisë. Në vitin 2017 janë evidentuar 6730 vepra penale kundër pasurisë, nga 6748 vepra penale kundër pasurisë të evidentuara në vitin 2016. Rastet e vjedhjeve kanë qenë në ulje gjatë vitit 2017. Përgjatë periudhës analizuese janë shënuar 2265 vjedhje krahasuar me 2276 raste vjedhjesh sa ishin gjatë vitit 2016, pra është shënuar një rënie prej 0.48 %.

Një ngritje ka qenë te rastet e vjedhjeve të rënda, ku për dallim nga periudha e njëjtë analizuese e vitit 2016, ku ishin 2463 raste të vjedhjes së rëndë, këtë periudhë analizuese ka pasur 2541 raste, pra 78 raste më shumë apo shprehur me përqindje 3.17 % ngritje.

Shqetësuese mbetet ngritja e numrit të rasteve të falsifikimit të parasë dhe falsifikimit të dokumenteve. Në vitin 2016 janë shënuar 289 raste të falsifikimit të parasë, ndërsa më 2017 ishin 59 raste më shumë.

Ndërkaq sa i përket rasteve të falsifikimit të dokumenteve gjatë vitit 2016 ishin 38 raste të tilla, përderisa në vitin 2017 ishin 56 raste ose 18 raste më shumë. 

Policia thotë se për një vit ka pasur 36341 pika kontrolli në funksion të preventivës së aksidenteve në komunikacion.

Sa i përket numrit të aksidenteve në përgjithësi ka pasur rënie prej 7.16 %. Në vitin 2017 janë evidentuar 7643 aksidente ose 589 aksidente më pak se sa në vitin 2016, kur ishin 8232 aksidente trafiku. "Në ngritje janë rastet e aksidenteve me persona të lënduar ku për vitin 2016 kemi pasur 2258 raste të tilla përderisa në vitin 2017 kemi 2346 raste ose 88 raste më shumë”, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës. Në rënie janë aksidentet fatale. Më 2016 kanë qenë 33 aksidente fatale me 38 të vdekur, ndërsa më 2017 ishin 31 aksidente fatale me 35 të vdekur.

Numri i tiketave të shqiptuara nga njësitet e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prishtinës, gjatë vitit 2017 është 104682.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

droga123406/03/2018 14:02

Normallno se droga i knaq.

Shto koment

Të ngjashme