Prishtina me qendër për të moshuar

03 mars 2018 10:34

Megjithëse është vonuar disa muaj, Qendra Kulturore-Sociale për të Moshuar në lagjen “Tophane”, është gati për t’u hapur javën e ardhshme, pasi në të janë duke u kryer përgatitjet e fundit... Qendra ka dhoma leximi e vizatimi, gazeta e TV, hapësira për punë dore etj., si dhe qasje për personat me nevoja të veçanta, raporton 038 në KTV.

Gazetat, loja e shahut dhe televizori janë pjesë pothuajse e pashmangshme e ditës së të moshuarve në ambientet e Lidhjes së Pensionistëve, në kryeqytet.

Këto hapësira janë ndër të paktat që janë të destinuara vetëm për të moshuarit.

Edhe pse janë të kënaqur me kushtet që kanë këtu, pensionistët do të mirëprisnin hapësira të reja, pasi shpeshherë ato, ku ata aktualisht kalojnë pjesën më të madhe të ditës, janë të pamjaftueshme.

Nga java e ardhshme, të moshuarit e kryeqytetit do të kenë një vend të ri ku mund ta kalojnë kohën.

Kjo, pasi Komuna e Prishtinës do të hapë Qendrën Kulturore-Sociale për të Moshuar në lagjen “Tophane”.

Punimet për transformimin e objektit, që pas bartjes së QMF-së në ish-objektin e gjykatës, kishte mbetur i zbraztë, patën nisur në qershor të vitit të kaluar.

Arben Vitia, drejtor i shëndetësisë në komunën e Prishtinës ka thënë se për mbi 40 persona është kapaciteti i qendrës, e cila do të jetë e hapur për të gjithë të moshuarit. Çmimet, sipas drejtorit Vitia, do të jenë simbolike, ndërsa, fillimisht aty do të punësohen dy persona.

Punimet në këtë qendër janë kryer me kontratën kornizë për rinovime – një vjeçare –në vlerë prej 150 mijë eurosh, me të cilën, po ashtu janë rinovuar edhe laboratori, barnatorja dhe radiologjia në QKMF dhe Qendra e Mjekësisë Familjare nr.3.

Pas “Tophanes”, Komuna e Prishtinës është në kërkim të lokacioneve për qendra të tilla edhe në lagjet “Dardania” e “Bregu i Diellit”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme