Arbëri

Në Prishtinë brenda tetë orësh 12 aksidente trafiku shkaku i borës

Reshjet e fundit të borës kanë vështirësuar qarkullimin në trafik, dhe vetëm brenda tetë orëve të para të ditës së hënë, në rajonin e Prishtinës janë shkaktuar 12 aksidente me automjete, si pasojë e rrugëve të papastruara.

Këto të dhëna i ka konfirmuar Policia e Kosovës, ndërkohë që në Komunën e Prishtinës kanë thënë se nuk kanë marrë asnjë kërkesë nga qytetarët për intervenime rreth rrugëve të papastruara, shkruan “Koha Ditore”. Por qytetarët në deklarata për gazetën kanë akuzuar Komunën për mospunë, duke përmendur kohën kur aktivistë të Vetëvendosjes dilnin me ski nëpër qytet, duke kritikuar Komunën për mospastrim të rrugëve, kurse tani që udhëheqin me Komunën kanë dështuar të kryejnë këtë punë.

Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, ka konfirmuar për gazetën se të hënën në këtë pjesë të vendit, brenda pak orëve, kanë ndodhur 12 aksidente të trafikut si pasojë e vështirësive të krijuara në qarkullimin rrugor për shkak të reshjeve të borës.

“Prej orës 7 të mëngjesit e deri në ora 13, në rajonin e Prishtinës kanë ndodhur 12 raste të aksidenteve në trafik, prej të cilave 10 aksidente kanë përfunduar vetëm me dëme materiale dhe dy të tjera edhe me lëndime trupore”, ka thënë Ahmeti... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)