Arbëri

Jetojnë mbi rezervuarin e ujit, por s’kanë qasje në rrjetin e ujësjellësit

Mungesa e ujit të pijshëm i ka nxjerrë punë e shpenzime shtesë Blerim Ahmetit nga Matiqani i Prishtinës.

Bartja e ujit me veturë është ritual i përjavshëm për të për më shumë se një dekadë, raporton emisioni 038 i KTV-së.

Pos bartjes, zgjidhje tjetër për Ahmetin dhe fqinjët e tij është edhe blerja e ujit.

Edhe pse gjenden vetëm 3 kilometra larg qendrës së Prishtinës, rreth 70 shtëpi në pjesën e sipërme të një prej rezervuarëve të ujësjellësit rajonal “Prishtina”, nuk kanë qenë të lidhura asnjëherë në rrjetin e këtij të fundit.

Ndërsa gjendja, sipas tij, nuk ka ndryshuar përkundër kërkesave të vazhdueshme në drejtuar ujësjellësit dhe Komunës së Prishtinës.

Ndërtimi i vonshëm i lagjes, sipas zyrtarëve të ujësjellësit rajonal “Prishtina”, është shkak i krijimit të kësaj gjendjeje.

Meqë zgjerimi i rrjetit, sipas tyre, është kompetencë e Komunës së Prishtinës, ata nuk mund të premtojnë zgjidhje të shpejtë.

Pa dhënë ndonjë afat për zgjidhjen e problemit, në Komunën e Prishtinës kanë thënë se janë duke e projektuar shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit në këtë pjesë.

Problematike për këtë pjesë mbetet terreni kodrinor, por lidhur me këtë në ujësjellës kanë një plan më afatgjatë.

Deri në zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit, bartja ose blerja e ujit të pijshëm mbesin të vetmet zgjidhje për banorët e kësaj lagje.