Arbëri

NPB anulon konkursin, Apeli lë në fuqi vendimin në favor të Katedrales

Më shumë se pesë muaj pas mbylljes, është anuluar konkursi i Ndërmarrjes Publike Banesore për lokalet e saj në lagjen Pejton, në kryeqytet.
Konkursi për dhënien me qira të lokaleve, këtë kompleks afarist, ishte hapur dhe mbyllur në shtator të vitit të kaluar, pak para fillimit të fushatës për Zgjedhjet Lokale.

Gabimet në aplikim dhe ofrimi i çmimeve pa mbështetje të qëndrueshme financiare, sipas zyrtarëve të NPB-së kanë qenë arsye të anulimit të shpalljes publike.
“Lokalet e vendosura në shpallje kanë qenë të ndara në VI llote, secili llot në vete përbënë 5-6 lokale. Për aplikim është dashur të caktohet vetëm lloti jo edhe numri i lokalit, gabim ky i bërë më së shpeshti gjatë aplikimit. Është vërejtur pastaj që biznese me pozicion financiar jo të qëndrueshëm kanë ofruar çmime shumë të larta (gati trefishi i çmimit minimal) ku edhe mundësia e kthimit të qirasë nga një biznes i tillë është konsideruar si jo real. P.sh. janë vërejtur veprimtaritë zejtare, që kanë ofruar qira mujore më shumë se 2000 euro pa e përfshirë mirëmbajtjen dhe shpenzimet tjera komunale”.

Ndërmarrjes Publike Banesore i është dashur gati gjysmë viti që të shqyrtojë 190 ofertues të interesuar për këto lokale.


Por, muaj më parë, zyrtarë të Ndërmarrjes Publike Banesore, fajin për zvarritjen e procesit për përzgjedhjen e qiramarrësve, ia patën lënë vonesave në procesin e pranimit teknik të kompleksit.

Zëdhënëse e NPB-së Rajmonda Ahmetaj ka thënë: Ata vazhdojnë, të qëndrojnë pas të njëjtit arsyetim se shqyrtimi i aplikacioneve, është vonuar nga procesi i pranimit teknik.

E 38 lokalet e ndërmarrjes do të mbesin të zbrazëta të paktën edhe për disa muaj, pasi zyrtarë të saj nuk kanë treguar se kur do të hapet konkursi i ri.

Ndërkohë, Gjykata e Apelit ende nuk ka dalë me vendimin zyrtarë për ankesat në kontestin pronësorë mes Komunës së Prishtinës dhe Ipeshkvisë së Kosovës.

Por, televizioni merr vesh se në vendimin që do të publikohet së shpejti, Apeli ka rrëzuar ankesat e të dy palëve, duke e lënë fuqi vendimin e Themelores.

Kjo e fundit më 2015, i kishte vlerësuar si pjesërisht të drejta pretendimet e Ipeshkvisë se lokalet janë ndërtuar në pronën e saj, pasi pati vendosur që prona në anën e majtë - mbi rrugën Justiniani – ku është ndërprerë ndërtimi i lokaleve, është pronë e Katedrales, por jo edhe ajo në anën e djathtë ku tashmë veç janë funksionalizuar disa lokale.