Arbëri

Havolli i ofron dy zgjidhje kryetarit Ahmeti për vendosjen e flamurit të Kosovës tek rrethi

Asamblisti i LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Sokol Havolli, i ka ofruar dy zgjidhje kryetarit të Komunës, Shpend Ahmeti, në lidhje me çështjen e vendosjes së flamurit të Kosovës tek rrethi që tashmë po njihet si “rrethi i flamurit”.

Havolli kritikon kryetarin Ahmeti për qasjen e tij ndaj simboleve shtetërore, duke thënë se qytetarëve po u mohohet në ditë feste vendosja e flamurit shtetëror nga Lëvizja Vetëvendosje.

Madje, asamblisti Havolli ka thënë se kreu i Komunës po arsyetohet se nuk ka procedurë apo protokoll që e rregullon këtë çështje, ndërsa i ka ofruar dy zgjidhje për këtë çështje.

“Tash, Kryetar, i ke dy zgjidhje: vendose flamurin e Republikës së Kosovës para orës 15:00, e hënë 12 shkurt, ose do të kërkoj përsëri nënshkrimet e anëtarëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës për seancë të jashtëzakonshme, nga nesër, që të miratojmë procedurën/rregulloren apo protokollin që e obligon ekzekutivin që të mirëmbajë flamurin e Republikës së Kosovës në lokacionet e caktuara”, ka shkruar Havolli në një postim në Facebook, raporton Koha.net.

Ai shfaq bindjen e tij se për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt, “edhe në sheshin “Skëndërbej” në Tiranë do të vendoset flamuri i Kosovës, e leje më në Prishtinë”.

Për të kritikuar qeverisjen Ahmeti në Prishtinë në lidhje me këtë çështje është rreshtuar edhe asamblistja Fiknete Bejta, e cila po ashtu vjen nga radhët e LDK-së.

Ajo ka thënë se shumë qytetarë të Kosovës të motivuar nga përvjetori i dhjetë i shpalljes së pavarësisë së Kosovës po kërkojnë që Flamuri Shtetëror të vendoset te rrethrrotullimi në Sheshin e Flamurit, në Prishtinë.

Sipas saj, në kohën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, kryetar i Komunës së Prishtinës ishte Isa Mustafa, i cili, siç thotë ajo, “kishte vendosur Flamurin e shtetit të Kosovës” tek rrethi, ndërsa thekson se ai është zëvendësuar me Flamurin Kombëtar Shqiptar, kur pushtetin në kryeqytet e mori Vetëvendosje.

“Emocionalisht, flamuri kuqezi është një tjetër histori, ne u rritëm me dashurinë për këtë flamur, por duhet ta respektojmë edhe flamurin e Kosovës sepse ka mijëra njerëz që kanë sakrifikuar edhe jetën për këtë shtet. Unë s’po mund t’i kuptoj disa kosovarë që po ndihen krenarë kur ky flamur po valëvitet në shtetet e botës por këtu midis Prishtine po hezitojnë t’i japin vendin e duhur”, thotë Bejta.

Në fund, ajo ka pyetur kryetarin Ahmeti: “Shpend Ahmeti, me cilin ligj ose protokoll e zëvendësuat flamurin e Kosovës me atë kombëtar?!! Pse po kërkoni procedura tjera? Ose respektoni këtë kërkesë e vendoseni ju o do të vendoset nga dikush tjetër”.

Tema e flamurit të Republikës së Kosovës për t’u vendosur tek “rrethi i flamurit”, atje ku aktualisht valon flamuri Kombëtar, është aktualizuar ditëve të fundit dhe është nisur madje edhe një peticion për vendosjen e simbolit shtetëror në po atë lokacion.

Mirëpo, kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, në një prononcim për mediat lokale, ka thënë se vendosja apo heqja e flamurit tek ai lokacion nuk është në kompetencë të Komunës që ai drejton.