Arbëri

Auditori po e pret nga Komuna e Prishtinës Planin e Veprimit që “u vonua shkaku i procesit zgjedhor”

Komuna e Prishtinës, qysh nga nëntori i vitit të kaluar, nuk e ka dorëzuar Planin e Veprimit se si do t’i adresojë rekomandimet e dhëna në raportin e Auditimit të Performancës.

Auditori i Përgjithshëm kishte rekomanduar ekzekutivin komunal në dy çështje, në lidhjen e kontratave të veçanta dhe në implementimin e sistemit informativ shëndetësor, raporton KTV.

Për Auditorin dhe shoqërinë civile, mospërgatitja e planit të veprimit tregon mungesën e vullnetit dhe llogaridhënies institucionale.

Albulena Nrecaj nga INPO thotë se hartimi i një plani të veprimit do të ishte një udhërrëfyes i mirë për punën e Komunës.

Por Komuna e Prishtinës thotë se u vonua në përgatitjen e këtij plani shkaku i procesit zgjedhor.

Zëdhënësja e komunës ka deklaruar se plani tashmë është drejt finalizimit.

Planin e Veprimit për “Marrëveshjet për shërbimet e veçanta dhe kontratat e punës për detyra specifike” nuk e kanë dorëzuar as Komuna e Pejës, ajo e Ferizajt, Gjilanit dhe e Suharekës.

Auditori i Përgjithshëm rekomandon organet komunale të sigurojnë se kanë identifikuar nevojat për angazhimin e punonjësve me kontrata të veçanta, të kryejnë vlerësimin dhe planifikimin për angazhimin e tyre në fillim të çdo viti si dhe përfshirjen e tyre në planin vjetor.

Auditori gjithashtu thekson se angazhimi i zyrtarëve me Marrëveshje për shërbime të veçanta bëhet vetëm në rastet specifike, kur ndonjë projekt apo punë e caktuar nuk mund të kryhet me stafin aktual brenda institucionit, por kërkohet ekspert i një fushe specifike.