Komuna s’po mund të sjellë në Prishtinë tash një vit edhe 21 autobusët e rinj

02 shkurt 2018 20:28

Të stërmbushur kanë qenë autobusët e “Trafikut Urban”, gjatë dy ditëve të ndalimit të qarkullimit të automjeteve në zonën qendër të kryeqytetit, si masë për përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Pas subvencionimit nga qeveria, kjo ndërmarrje ofroi transport falas për qytetarët në tri linjat e saj, me 30 autobusët e rinj, që në kryeqytet erdhën vitin e kaluar.

Megjithëkëtë, edhe 21 autobusë të kësaj ndërmarrjeje po qëndrojnë në parkingun e kompanisë IVECO në Çeki, raporton KTV.

Për këtë, kryeshefi i ndërmarrjes publike komunale “Trafiku Urban”, Halil Mustafa thotë se nuk janë duke paguar qira. Ndërsa shton se vonesat në renovimin e garazhit janë shkaku kryesor i mosardhjes së tyre.

Kjo pasi, BERZH-i e ka kushtëzuar ardhjen e autobusëve me renovimin e garazhit.

E përfundimi i punimeve, të cilat kanë filluar para një viti, mund të marrë edhe disa muaj, pasi Komuna e Prishtinës ia ka shkëputur kontratën operatorit NN Prishtina.

Përkundër disa kërkesave, televizionit nuk i është lejuar xhirimi brenda garazhit asnjëherë që kur ka nisur renovimi i garazhit.

E vetmja herë kur mediat janë lejuar të futen në të - gjatë 13 muajve të fundit – është një tubim i Shpend Ahmetit gjatë fushatës.

Në kompaninë e ndëshkuar thonë se ata i kanë kryer pothuajse të gjitha punët.

I kontaktuar nga televizioni, menaxheri i NN Prishtina, Adem Berisha, fajin për vonesat ia ka lënë Komunës, e cila sipas tij, ia ka vonuar kontratën për punët shtesë.

Por në komunë thonë se ndëshkimi ka ardhur pikërisht për shkak të mospunës.

Sipas Tahirit, këto vonesa, megjithëse janë të dëmshme, nuk e rrezikojnë projektin dhe kredinë për blerjen e autobusëve.

Në dhjetor të vitit 2016, Komuna e Prishtinës kishte nënshkruar kontratën fillestare me “NN PRISHTINA” për renovimin e objektit të Trafikut Urban, në vlerë 1 milion euro – prej nga shumica e parave kanë qenë grant nga BERZH-i.

Ndërsa më 21 qershor 2017, ajo kishte ndarë 166 mijë euro për kontratën e dytë, për kryerjen e punëve shtesë.

Punimet e nisura para më shumë se 400 ditësh, sipas kontratës fillestare, është dashur të përfundojnë për 60 ditë, ndërsa ato të kontratës shtesë brenda 30 ditësh.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme