Arbëri

Tollovi, pakënaqësi e aksidente pas ndalimit të veturave drejt qendrës së kryeqytetit

Descriptive Text

Autobusët e stërmbushur me udhëtarë dhe rrugët drejt qendrës së kryeqytetit, ishin këto pamjet që u panë sot në orët e hershme të mëngjesit, kur edhe nisi zbatimi i vendimit për të ndalur qarkullimin e automjeteve në qendër të kryeqytetit për shkak të ajrit të ndotur.

Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Mjedisit dje morën vendim për ndalimin e qarkullimit të automjeteve nga ora 6 deri 22.00, si masë parandaluese e ndotjes së ajrit, i cili ka arritur përmasa shqetësuese.

Në mëngjes pjesëtarë të Policisë së Kosovë dhe Inspektoratit të Komunës së Prishtinës janë parë në të gjitha rrugët ku janë paracaktuar zonat e ndaluara për qarkullim, të cilët orientonin ngasësit për rrugët alternative derisa për qarkullim lejonin vetëm autobusët e Trafikut Urban, taksitë e licencuar, minibusët e shkollave private që bartin nxënësit.

KosovaPress ka përcjell nga afër zhvillimet që kanë ndodhur tek udhëkryqi i rrugëve “Idriz Gjilani” dhe “Bekim Fehmiu”, gjegjësisht nga shtatorja e “Bill Clintonit”, ku nga ora 08:00 e mëngjesit ka filluar fluksi i madh i automjeteve, duke shkaktuar tollovi në komunikacion.

Situatë jo e qetë ishte në rrugën “Ilir Konushevci” te hyrja drejt kryeqytetit nga Podujeva ku për KosovaPress qytetarët u shprehen të revoltuar kundër vendimit për ndalimin e veturave për shkak të ajrit të ndotur.

Banori i kësaj lagjeje, Osman Muja u shpreh i pakënaqur me vendimin, duke thënë se kjo po shkakton probleme pasi nuk ka vend parkim. Ai për ajrin e ndotur ia lë fajin termocentraleve në Obiliq.

“Masat e reja nuk janë njëherë përnjëherë të këqija, por edhe në anën tjetër është edhe keq sepse këtu do të parkohem, s’janë as 50 metra, nuk më lejojnë të hy, duhet ta lë veturën në trotuar ndoshta e konfiskojnë veturën e duhet të bëjë pagesë e brenda është oborri i parkingut e nuk më lejojnë të hy ... në pastrimin e ajrit ndoshta ndikon pak, por e kemi Obiliqin afër”, u shpreh ai.

Kurse, Bajram Sinani këtë vendim e ka konsideruar si gjest të mirë, i cili duhet të ndërmerret kohë më parë, sepse sadopak do të pengonte ndotjen e ajrit.

“Kjo është mirë është dashur të merrej më herët ky vendim. Po ky gjest është dashur edhe më herët me u vendos edhe që e sollën komuna vozitjen tek e çift te targat edhe atë është dashur më herët për në qytet. E kam fjalën e për jashtë qytetit nuk di, nga ana ime këtë e shoh si një gjest shumë të mirë”, u shpreh ai.

Ndërsa, avokati Ramë Dreshaj për KosovaPress u shpreh se vendimi për ndaljen e qarkullimit të automjeteve në qendër të kryeqytetit është hedhje pluhur syve pasi ajri i Prishtinës nuk është i ndotur vetëm në kohët e fundit.

“Kjo është për të iu hedhur pluhur syve popullit, sepse Prishtina nuk është e ndotur para dy ditëve, Prishtina është e ndotur moti... I kemi ekspertët e fortë, ata dinë fortë. Në shekullin 21 kontraktojnë termocentrale kur ka mundësi të përfitimit të rrymës edhe në forma tjera, por të mençur janë nuk kemi çka iu bëjmë”, u shpreh Dreshaj.

Edona Dërvisholli për KosovaPress ka thënë se ky vendim do të krijojë tollovi dhe vonesa, por shpreson se sado pak do të ndikojë në pastrimin e ajrit.

“Faktikisht kjo i ka dy anë, atë pozitive dhe negative. Pozitivja është që shpresojmë se do të ndodh vetëdijesimi i popullatës që mos të ndizen makinat pa arsye, sepse mëngjesi i ka këto ngarkesa dhe shpresojmë që në pastrimin e ajrit do të ndikojë ky fakt, mirëpo ajo negativja është se shihet se po krijohet një tollovi në hyrje të Prishtinës, do të shkaktohen vonesa, mirëpo shpresojmë që të realizohet diçka në të mirë të popullit”, tha ajo.

Ndonëse ishte gjendje më e qetë në trafik, tollovitë e krijuara te zonat e ndaluara ishin cak e aksidenteve ku një i tillë ka ndodhur te rrethrrotullimi në “Arbëri”, përkatësisht në rrugën “Ahmet Krasniqi”, ku përveç dëmeve të vogla materiale nuk ka pasur të lënduar.

Vendimi për ndaljen e makinave brenda qendrës së Prishtinës nga ora 06:00 deri 22:00 është marrë nga Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe parashihet të zbatohet deri në një vendim të ardhshëm.

Zona e ndaluar përfshinë këto rrugë: 1. Bulevardi “Bill Klinton” nga udhëkryqi i rrugëve “Idriz Gjilani” dhe “Bekim Fehmiu”, gjegjësisht nga shtatorja “Bill Klintoni”; 2. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga rrethrrotullimi i flamuri! 3. Rruga “Agim Ramadani” nga udhëkryqi i konvikteve; 4. Rruga “Edmond Floxha” te salla “1 Tetori',; 5. Rruga “Ilir Konushevci”, nga hyrja e drejtimit të Podujevës; 6, Hyrja nga rrethrrotullimi i lagjes “Arberia” në rrugët “UÇK” dhe “Fehmi Agani”.

Kurse automjetet që lejohet brenda qytetit të Prishtinës nga ora 06:00 deri në ora 22:00 janë automjetet e transportit publik, emergjente, të Policisë së Kosovës, misioneve diplomatike, FSK-së, KFOR-it, EULEX-it, automjetet e Drejtorisë së Inspektoratit, taksitë e licencuar si dhe automjetet që bartin persona me aftësi të veçanta të cilat janë të pajisura me shenja identifikuese.