Arbëri

Ahmeti kërkon të mbahet seancë për çështjen e ajrit të ndotur, sot diskutohet edhe për reduktime në trafik

Descriptive Text

Mbrëmë pas mesnate, i pari i Prishtinës Shpend Ahmeti, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se do të mbahet takimi i ekipës së Komunës dhe Ministrisë së Mjedisit, ku do të diskutohet për reduktime në trafik.

Lexo edhe: Ahmeti ka disa propozime për të përmirësuar cilësinë e ajrit

Ai gjithashtu, falënderoi asambleistin e LDK-së, Sokol Havolli, i cili mbrëmë paralajmëroi mbledhjen e nënshkrimeve për seancë rreth ajrit të ndotur.

Ka thënë se ka kërkuar nga kryesuesi Agim Kuleta dhe ka ftuar edhe Kuvendin të thërras një mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar dhe për t’i gjetur zgjidhje çështjes së ndotjes së ajrit.

Postimi i Ahmetit:

Pas takimit të javës së kaluar, Ministria e Mjedisit dhe ekipet e Komunës do të takohen nesër për të shqyrtuar reduktimet në trafik dhe subvencionimin e transportit publik në kohë të caktuara.

Po ashtu, si kryetar i Komunës së Prishtinës po kërkoj nga Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit publikimin e të dhënave zyrtare për cilësinë e ajrit sipas Ligjeve në fuqi, në mënyrë që edhe politikat të zbatohen në përputhje me të dhënat. Po ashtu do të ishte mirë që Agjencia të mbaj një konferencë vetëdijësuese ku shpjegon se çfarë domethënie kanë vlerat e ndryshme që maten.

Kërkojmë edhe nga Instituti i Shëndetit Publik që në përputhje me Ligjin të lëshojnë udhëzime për qytetarët se si duhet te veprojnë në raste të vlerave të larta.

Krejt në fund, kam kërkuar nga Kryesuesi Agim Kuleta që ta thërret mbledhjen e jashtëzakonshme për të enjten ose të premten sipas ligjit, për ti diskutuar këto dhe masa të tjera që mund të ndërmarrim. E falënderoj edhe asambleistin Havolli për kërkesën.

Ftoj edhe Kuvendin e Republikës të organizojnë seancë të jashtëzakonshme për këtë çështje.