Arbëri

Të mërkurën në Prishtinë, protestë kundër ndotjes së ajrit

Niveli i ndotjes së ajrit është rritur bashkë me shqetësimet për shëndetin e njerëzve në Prishtinë. Rreth kësaj çështje në kryeqytet do të organizohet një protestë në shenjë indinjate ndaj institucioneve vendore për neglizhimin e situatës.

Protesta do të mbahet gjatë ditës së mërkurë në Prishtinë në orën 12:00, para Teatrit Kombëtar.

Thirrja për këtë protestë është duke u bërë në rrjetin social Facebook.

“Prishtina ka kohë që po radhitet në vendin me ajrin më të ndotur në botë. Ne, qytetarët të cilët jetojmë në kryeqytet, po e vërejmë më shumë se kurrë ndikimin e ajrit të ndotur në jetën tonë. HAZARDOUS – është rezultati më i shpeshtë në faqen e cila e tregon gjendjen e ajrit në Prishtinë, me një kontrollim të thjeshtë në internet. Ministrja e Ambientit, Albena Reshitaj, mes tjerash në një reagim të sajin ka thënë se ‘gjërat nuk zgjidhen me shkop magjik’. Partia Ekologjike ka kërkuar nga Qeveria që ta marrë me më shumë seriozitet ndotjen. Një hapje e dritares e tregon realitetin e ndotjes së tmerrshme të ajrit në Prishtinë, dhe mushkëritë tona si dhe shëndeti ynë po shkatërrohet duke u ekspozuar në këtë ajër, mjegull e smog”, thuhet në njoftim.

Protesta do të organizohet më 31 janar (e mërkurë), ora 12:00 – Para Teatrit Kombëtar në Prishtinë.

Ndërkohë që alarmin rreth ndotjes së ambientit e ka dhënë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publik, duke u sugjeruar kosovarëve që të dalin në qytet me maska.