Arbëri

Kuleta: Zgjedhësit e duan Prishtinën e zhvilluar

[11:18] - Pas zgjedhjes kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Agim Kuleta iu drejtua asamblistëve të kryeqytetit.

Kuleta, pas falënderoi dhe uroi tha se kjo përbërje e Kuvendit është reflektim i asaj që kanë zgjedhur qytetarët e Prishtinës.

Këta qytetarë, tha ai, gjatë ushtrimit të së drejtës së tyre të votës, janë përcaktuar për njerëz të ndryshëm dhe subjekte politike të ndryshme. Ata kanë vendosur ta votojnë dikë, qoftë për shkak të personalitetit të tij, qoftë për shkak të përkatësisë partiake apo edhe për të shkak të të dyjave bashkë. Pra, ata kanë votuar ndryshe nga njëri-tjetri. Por, pavarësisht nga ky fakt, prapa këtyre përzgjedhjeve të ndryshme nga qytetarët tanë, qëndron motivi i njëjtë. Ata e duan një qytet të zhvilluar, funksional dhe të bukur.

Unë, vazhdoi ai, jam i bindur se edhe secili prej jush pajtohet me faktin se gjërat që na bashkojnë janë më të mëdha e më të rëndësishme se sa ato që mund të na ndajnë.

Ne na bashkon interesi i Prishtinës dhe qytetarëve të saj, ndërsa mund të ndajë mënyra se si e shohim realizimin e këtyre interesave. Prandaj, duke besuar fuqishëm në këtë, si kryesues i këtij Kuvendi, do të përpiqem maksimalisht që ta kryejë punën time në mënyrë sa më profesionale. Do të jem i hapur dhe bashkëpunues me secilin prej jush, në funksion të mbarëvajtjes së punës në këtë institucion dhe në të mirë të qytetarëve e komunës sonë të përbashkët. Por, për këtë qëllim, unë nuk do të kërkoj nga ju unitet me çdo kusht. Sepse kusht për të arritur një unitet përmbajtësor është pikërisht që të mos ketë kushte. Gjithashtu, është edhe një arsye pse unë kurrë nuk do të kërkoj unitet me çdo kusht. Sepse, jo gjithmonë, mospajtimet janë shkaktare të ndasive midis njerëzve. Ndasitë shpesh herë janë pasojë e unitetit të rrejshëm e të detyrueshëm. Atij uniteti ku palët e kundërta pajtohen që të mos dalin në publik kundërshtimet, gjë që krijon një paqe të rrejshme publike, e cila, në realitet, nuk sjellë tejkalim të interesave të kundërta por pakësim të asaj që mund të dëgjohet në publik, jashtë rrethit të tyre, tha ndër të tjera Kuleta.


Agim Kuleta zgjidhet kryesues i Kuvendit të Prishtinës

[11:01] - Agim Kuleta i Lëvizjes për Bashkim është zgjedhur kryesues i KK të Prishtinës.

Ai ka marrë 27 vota, apo 8 më shumë sesa kunderkandidati nga LDK-ja Shefki Gashi që mori 19 sosh, ndërsa 5 vota ishin të pavlefshme.

Kuleta u propozua nga shefja e Grupit të Asamblistëve të LVV-së, Leonora Shabani-Bajraktari, si kandidat i përbashkët i koalicionit LVV-AKR-AAK-LB në kryeqytet.

Në këtë seancë janë betuar edhe tre asamblistë të ri nga radhët e Vetëvendosjes: Mimoza Sylejmani, Qëndrim Sahiti dhe Milot Podvorica, të cilët kanë zëvendësuar të emëruarit drejtorë në ekzekutivin e komunës.