Shtëpia e të Moshuarve në Prishtinë merr pamje të re

Shtëpia e të Moshuarve në Prishtinë merr pamje të re

28 dhjetor 2017 12:19

Këtë paradite është përuruar Shtëpia e Pleqve në Prishtinë, pasi që ka përfituar një donacion prej 20 mijë euro nga NLB Banka, përmes së cilit janë përmirësuar kushtet e banimit aty.

Përmes këtij donacioni është ndërruar inventari i vjetër aty me ç’rast janë blerë 70 krevatë, dyshekë, sirtarë, dollapë, perde, mobile, shporet, televizorë, si dhe janë përmirësuar shumë pjesë tjera të shtëpisë.

Me këtë rast, drejtoresha e kësaj Shtëpie, Razë Aliqkaj, vlerësoi lartë kontributin e NLB bankës, duke thënë se në këtë mënyrë janë krijuar mundësi më të mira për rezidentët. Ajo tha se përmes këtij donacioni do të ngritët edhe cilësia e shërbimeve dhe mirëqenia e të moshuarve aty.

Ajo tha se përkundër asaj se kjo shtëpi ka 63 persona, NLB Banka përmes donacionit për ta ka mundësuar që të krijohen kushte të volitshme edhe për 7 rezidentë të tjerë.

“Ne e falënderojmë nga zemra NLB bankën, vërtetë ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë dhe i sinqertë, gjithnjë në të mirë të rezidentëve, për ruajtjen e shëndetit të tyre, për mirëqenien e tyre”, u shpreh ajo.

Drejtori i NLB Bankës, Albert Lumezi, tha se ky donacion ka për synim përmirësimin e jetës dhe kushteve të banorëve në Shtëpinë e Pleqve, meqenëse kishin parë se kushtet aty ishin mjaft të vështira.

Ai theksoi se NLB banka do të jetë edhe viteve në vijim aty ku ka nevojë.

“Jemi shumë të lumtur kur po e shohim gëzimin e këtyre njerëzve të moshuar sepse e dini se ne e kemi traditë si pasardhës të Nënë Terezës që të jemi human. NLB banka iu premton të gjithëve që do të vazhdojë krahas rezultateve të mira afariste që të kontribuojë edhe në aspektin social në shoqërinë kosovare”, tha Lumezi.

I pranishëm në këtë përurim ishte edhe zëvendësministri i Mirëqenies Sociale, Vesel Makolli, i cili tha se është kënaqësi kur sheh që kjo shtëpi po ndihmohet.

Ambasadori slloven në Kosovë, Bojan Bertoncelj, vlerësoi lart donacionin e NLB bankës për Shtëpinë e të Moshuarve, duke thënë është e rëndësishme të punohet për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

Sipas tij, në mënyra të tilla njerëzit tregojnë pjekuri. Teksa shprehi bindjen e tij se përmes këtij donacioni njerëzit do të mund të bëjnë më të mirën e tyre.

“Ashtu si Sllovenia vepron në shtetin e vet dhe unë si ambasador i Sllovenisë këtu në Kosovë, jam shumë i lumtur që jam këtu dhe jam mjaft i kënaqur që NLB banka ka mundësi të kontribuojë këtu për Kosovën, për qytetarët e Kosovës në përgjithësi, dhe për të moshuarit të cilët kanë nevojë më shumë”, tha ai.

Për 70 vjeçaren Xhevrije Sulejmanin nga Podujeva, e cila ka dy vite që ka ardhur në Shtëpinë e Pleqve në Prishtinë, fillimisht kishte qenë i vështirë ambientimi aty. Porse tash ajo tha të kenë ndryshuar gjërat meqenëse janë përmirësuar kushtet e jetesës aty.

“Tash i kemi mirë. Kur kam ardhur nuk më është dukur hiç. Jam mërzitë kur kam ardhë, qëllova në një dhomë me gra të sëmura. E tash e kemi mirë”, tha ajo.

Ndryshe, Shtëpia e të Moshuarve në Prishtinë ka kapacitet për strehimin e 100 personave, ndërsa momentalisht ka 63 rezidentë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme