Arbëri

Shqetësimi i mjekëve për nxënësit e kryeqytetit - Obesiteti dhe problemet muskularo-skeletore

Descriptive Text

Gjatësia, masa, testi i shikimit, kontrolli i dhëmbëve, janë disa prej kontrolleve të cilave po u nënshtrohen nxënësit e shkollës “Hilmi Rakovica” të Prishtinës.

Krejt kjo po bëhet në kuadër të kontrolleve sistematike mjekësore për nxënësit e klasave të para, të pesta dhe të nënta të shkollave të kryeqytetit.

Gjendja e tyre, sipas mjekëve, është relativisht e mirë, ndërsa problemet dallojnë sipas grupmoshave, raporton emisioni 038 i KTV-së.

Procesi që ka filluar të hënën, po kryhet për herë të katërt nën qeverisjen e Shpend Ahmetit.

Sipas drejtorit të Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Arben Vitia, edhe pse janë zgjedhur vetëm tri grupmosha, këtë vit po kompletohet cikli.

Vitin e parë të kontrolleve, problem kryesor ka qenë mungesa e higjienës orale, e cila sipas tij, është përmirësuar pas fushatave.

Ndërsa së fundmi, si probleme kryesore po konsiderohen obesiteti dhe ato muskularo-skeletore, që, sipas drejtorit Vitia, janë pasojë e jetës joaktive të nxënësve.

Lidhur me këtë, ai thotë të kenë evidentuar masat që duhet të marrin për aktivizimin e nxënësve.

Komuna e Prishtinës u ofron nxënësve deri në klasën e pestë - një shujtë: kifle dhe qumësht, e cila sipas drejtorit nuk ndikon negativisht.

Shumica e shkollave në kryeqytet, sikurse edhe komunat tjera në Kosovë, nuk kanë kuzhina brenda, ndërsa pos shujtës që u ofrohet, “ushqimi i shpejtë” mbetet zgjidhje për shumicën e nxënësve pas klasës së pestë.


Shqetësimi i mjekëve për nxënësit e kryeqytetit... by kohanet