Përurohen investimet në çerdhet “Ngjyrat” dhe “Gëzimi Ynë” në Prishtinë

Përurohen investimet në çerdhet “Ngjyrat” dhe “Gëzimi Ynë” në Prishtinë

27 dhjetor 2017 14:58

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, bashkë me ambasadoren turke në Kosovë, Kivilcim Kiliç si dhe përfaqësuesit e TIKA-s, përuruan sot projektet e ndërtimit të anekseve e mobilimin e tyre në çerdhet ‘Ngjyrat” në Hajvali dhe “Gezimi Ynë” në Ulpianë dhe rregullimin e oborrit në çerdhen “Gëzimi Ynë”.

“Ka një kohë që kemi bërë kërkesë në TIKA për financimin e projekteve të natyrës sociale. Rreth dy muaj më parë kemi bërë përurimin e këndit të lodrave në Parkun e Qytetit si dhe para disa muajve kemi pranuar një donacion për fermerët e Prishtinës me makina mjelëse. Ndërsa sot bëjmë përurimin e dy investimeve në dy çerdhe të Prishtinës, aneksin dhe mobilimin e çerdhes ‘Ngjyrat” në Hajvali dhe aneksin, mobilimin dhe rregullimin e oborrit të çerdhes “Gezimi Ynë” në Ulpianë. Ndërsa në vitin 2018 ne na presin edhe projekte të tjera që do të I realizojmë në bashkëpunim me TIKA-n. Do të bashkëpunojmë në projektin për Qendrën për Autizëm e Sindrom Down, përmes ndihmës së Qendrës në Konya të Turqisë dhe projektin e Xhamisë të Çarshisë”, theksoi Ahmeti me ç’rast falënderoi TIKA-n dhe ambasadën turke për ndihmën e vazhdueshme dhe të rëndësishme që po i japin Komunës së Prishtinës.

Ambasadorja Kiliç tha se është e gëzuar që sot është prezente në përurimin e këtyre dy projekteve shumë të rëndësishme për komunitetin, posaçërisht për fëmijët dhe të ardhmen e tyre.

“Ky bashkëpunim me Komunën e Prishtinës sigurisht se do të vazhdojë edhe në të ardhmen me projekte të tilla konkrete. Shpresojmë se në një kohë shumë të shkurtër do të na shihni sërish bashkë duke përuruar projekte të tjera”, u shpreh ajo.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme