Ndërmarrjet Publike, pjesë e pazareve mes partnerëve të koalicionit në kryeqytet

23 dhjetor 2017 23:45

Për 4 vjet, ndërmarrjet publike komunale ishin shkak i përplasjes mes pushtetit e opozitës në kuvendin e kryeqytetit.

Ato u bënë shkak që herë njëra e herë pala tjetër të largohen nga salla, raporton emisioni 038 i KTV-së.

Duke mos pasur shumicën në Kuvendin Komunal, kryetari Shpend Ahmeti nuk mundi t’i kontrollojë ndërmarrjet publike.

Madje disa prej tyre i akuzoi për anim politik dhe për bojkot të qëllimshëm ndaj tij, duke e bartur konfliktin edhe jashtë Kuvendit.

Problem gjatë tërë mandatit të parë pati me kryeshefin e ndërmarrjes regjionale “Pastrimi”, Feim Salihu, ish-asamblist i LDK-së.

E nga 2015-ta edhe me atë të Ngrohtores së Qytetit “Termokos”, Naser Canolli, që më herët ishte nënkryetar i PDK-së në kryeqytet.

Në fushatën për mandatin e dytë, Ahmeti rëndësi të veçantë i kushtoi garës për Kuvendin Komunal.

Por, i vetëm nuk i mori “krahët” që i kërkoi në fushatë.

Megjithatë, shumicën në këtë institucion e siguroi pas dy koalicioneve.

Sipas monitoruesve të punës së Komunës, marrja e kontrollit mbi ndërmarrjet do të jetë prej punëve të para të Ahmetit në mandatin e dytë.

Me shumicën që ka tani, sipas Salie Gajtani-Osmankaq, gazetare në “Koha Ditore”, ekzekutivi komunal do të kontrollojë ndërmarrjet sipas preferencave të saj të politikëbërjes.

Por, Admir Shala, monitorues nga organizata INPO, shpreson që bordet dhe kryeshefat të mos jenë njerëz të partive politike.

Edhe Gajtani-Osmankaq është kundër politizimit të ndërmarrjeve.

Por, shton se në këto rrethana diçka e tillë duket se është pothuajse e pashmangshme.

Ndërkohë, Kohavisioni merr vesh se drejtimi i ndërmarrjeve publike është pjesë e ndarjes së hises mes partnerëve të koalicionit.

Burime i kanë thënë televizionit se Aleanca Kosova e Re mund të marrë kontrollin e “Termokosit” dhe “Sport Marketingut”, që e menaxhon pishinën e Gërmisë.

Pa ndërmarrje, sipas burimeve, nuk do të mbetet as Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kjo parti mund të udhëheqë “Hortikulturën” apo edhe “Ndërmarrjen Publike Banesore”.

Në kalkulime mund të hyjë edhe “Stacioni i Autobusëve”, që aktualisht udhëhiqet nga Ylber Çitaku i Partisë Demokratike të Kosovës.

Ndërsa më problematik do të jetë kontrollimi i Ndërmarrjes Regjionale “Pastrimi”, ku hise kanë edhe komunat tjera.

Megjithatë, me ndryshimin e rregullores për menaxhimin e mbeturinave, me të cilën pagesa për to do të bëhet në Komunë, roli i kësaj ndërmarrjeje do të zvogëlohet.

Kjo pasi Komuna si inkasues direkt i të hyrave mund të angazhojë edhe operatorë tjerë sipas nevojës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme