Haradinaj e Ahmeti pajtohen për Pallatin e Rinisë, flasin edhe për Unazën

Haradinaj e Ahmeti pajtohen për Pallatin e Rinisë, flasin edhe për Unazën

21 dhjetor 2017 16:16

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, me të cilin diskutoi lidhur me bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë dhe Komunës.

Ndër temat e rëndësisë së posaçme që janë diskutuar në takim, sipas njoftimit nga kryeministria, ishin statusi ligjor i Pallatit të Rinisë, unaza e Prishtinës si dhe kogjenerimi i Termokosit.

Për Pallatin e Rinisë, Haradinaj është dakorduar me kryetarin e Prishtinës se sa më parë duhet të kalojë në pronësi të Komunës së Prishtinës si Ndërmarrje Publike Komunale. Me këtë rast, Qeveria dhe Komuna do të angazhohen në gjetjen e fondeve për renovimin e plotë të këtij objekti. Ky pallat, përveç që do të përdoret nga sportistët, do të shërbejë edhe për integrimin e komuniteteve të tjera.

Është biseduar po ashtu, që në rishikimin e parë të Buxhetit për vitin 2018, të hyjë edhe projekti i Unazës së Prishtinës, kur synohet të nisë ndërtimi i saj.

Haradinaj po ashtu, ka thënë se do të punohet në shtimin e kapaciteteve të ngrohjes në Prishtinë, përmes kogjenerimit të Termokosit.

I pari i qeverisë dhe ai i Prishtinës janë dakorduar që të thellojnë bashkëpunimin Komunë-Qeveri, ashtu që të bëhen investimet e nevojshme në kryeqytet.

Ahmeti, i cili u betua dje për mandatin e dytë si kryetar të Prishtinës, është në koalicion zyrtar me AAK-në e Ramush Haradinajt.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme