Gjashtë asamblistë të VV-së në Prishtinë bojkotuan himnin e Kosovës

20 dhjetor 2017 19:39

Shpend Ahmeti ka dhënë betimin si kryetar i rizgjedhur i kryeqytetit, raporton KTV.

Në seancën inauguruese, asamblistët e Vetëvendosjes u betuan para flamurit kombëtar. Ndërsa 6 prej tyre e bojkotuan himnin shtetëror. Edhe në këtë legjislaturë, Qeveria e Kosovës do të ketë përfaqësuesit e saj në kuvendin e kryeqytetit.

Me intonimin e himnit shtetëror dhe atij kombëtar, ka nisur mbledhja inauguruese e Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Seanca është udhëhequr nga anëtari më i vjetër, Shefki Gashi i Lidhjes Demokratike.

Ai e ka lexuar betimin në emër të 51 asamblistëve.

Pas tyre, betimin e ka dhënë edhe kryetari i rizgjedhur i komunës, Shpend Ahmeti.

Në fjalimin inaugurues, Ahmeti tha se dera e kryetarit do të jetë e hapur për të gjithë asamblistët dhe qytetarët, pa dallime partiake.

Pa nisur seanca, 17 flamuj kombëtarë u vendosën pranë po aq ulëseve që u takojnë asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

E megjithëse seanca nisi me intonimin e dy himneve, 6 asamblistë të kësaj partie hynë në sallë vetëm pas përfundimit të himnit shtetëror të Kosovës.

Për asamblistin e dytë më të votuar të kësaj partie, Nol Nushi, ky veprim ishte i qëllimshëm dhe nuk paraqet risi.

Ai insiston se nuk kanë problem me institucionet e shtetit dhe republikën por vetëm me himnin dhe flamurin, të cilët i quan të imponuar.

Sikur në legjislaturën e kaluar, edhe këtë herë, në kuvendin e kryeqytetit do të ketë anëtarë të qeverisë qendrore.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, dhe zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Vesel Makolli, pos qendrës, do të jenë edhe pjesë e pushtetit lokal.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Mali21/12/2017 09:02

Nherëzit që nuk njohin simbolet e shtetit nuk njohin as shtetin .Nuk e kuptoj pse nuk i bojkotojnë edhe pagat që i marrin nga shteti dhe bejn të njejtin veprim sikurse shkijet e mitrovicës veriore nuk e njohin shtetin në të cilin jetojn.

Shto koment

Të ngjashme