Arbëri

Ahmeti betohet si kryetar i Prishtinës me Himnin e Kosovës dhe të Shqipërisë

Descriptive Text

Është mbajtur mbledhja inauguruese e Kuvendit Komunal të Prishtinës. Në seancën e udhëhequr nga anëtari më i vjetër i Asamblesë, Shefki Gashi nga LDK, janë betuar asamblistët e rinj të kryeqytetit.

Pas tyre, betimin e ka dhënë edhe kryetari i rizgjedhur, Shpend Ahmeti. Ky i fundit në fjalimin e tij të parë në mandatin e dytë u zotua se do të punoj me nder e besnikëri me të gjithë.

“Betohem se punën time do ta kryej në frymën e bashkëpunimit, qoftë me pozitën apo opozitën. Nga ju anëtarët e ri dhe ju të rizgjedhurit pres që çdo propozim tonin ta shihni me sy kritik, për të mirën e qytetarit”, ka thënë Ahmeti në fjalimin e tij inaugurues, raporton KTV.

Ndryshe, asamblistët e Vetëvendosjes janë betuar para flamujve kombëtarë. Ndërsa edhe seanca ka nisur me dy himnet, atë shtetëror dhe kombëtar.

Në fillim të seancës, u njoftua se kreu i Komunës, Shpend Ahmeti, është tërhequr nga posti i anëtarit të asamblesë, e po ashtu edhe kandidati i LDK-së për të parin e kryeqytetit, Arban Abrashi, i cili ishte zgjedhur asamblist, si bartës i listës, ka dhënë dorëheqje për të mbetur deputet i Kuvendit të Kosovës.