Komuna vazhdon të vë kunja, parkingjet kurrkah

Komuna vazhdon të vë kunja, parkingjet kurrkah

16 dhjetor 2017 15:40

Komuna e Prishtinës ka vazhduar me vendosjen e shtyllave antiparking nëpër trotuare në qendër të Prishtinës.

Vendosja e këtyre shtyllave është pjesë e të ashtuquajturit “Plani i Mobilitetit të Prishtinës”, që parasheh lirimin e trotuareve nga parkimi i veturave. Por, krahas kësaj kryetari i komunës, Shpend Ahmeti, kishte premtuar se do të bëjë zgjidhje për parkingje.

Sikur shihet në pamjet që ka kapur videon e Ekonomia Online, punëtorë të kontraktuar nga Komuna po vendosin kunjat në rrugën “Hajdar Dushi” në qendër të Prishtinës.

Gjatë fushatës së fundit zgjedhore, Ahmeti ka prezantuar një plan për shtimin e vendparkingjeve në zonën e ngarkuar të qytetit. Tash sa kohë është paralajmëruar dhe funksionalizimi i kompanisë “Prishtina Parking” që do të menaxhonte këto parkingje. Por deri më tani nuk ka asgjë konkrete.

Ekonomia Online ka provuar të flasë, për dy ditë me radhë, me ndonjë zyrtar të Komunës së Prishtinës për të treguar nëse ka nisur të bëhet diçka për zgjidhjen e këtij problemi të madh për prishtinasit. Të premten, zyrtarët për informim, Adonis Tahiri dhe Miranda Mullafazliu, nuk ndodheshin në zyrë; dhe asnjë zyrtar tjetër nuk ishte i gatshëm të flasë për këtë temë.

Gjithashtu, të shtunën, zyrtarët për informim nuk kanë kthyer përgjigje.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme