Arbëri

Begolli që bënte thirrje për ta votuar Abrashin, sot nënshkroi koalicion me Ahmetin

Më 17 nëntor, një ditë para balotazhit për kryeqytetin, Gent Begolli i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës bënte thirrje për ta votuar Arban Abrashin e Lidhjes Demokratike .

Por, ende pa kaluar një muaj, njeriu më i votuar i AAK-së në kryeqytet ka ndërruar anë.

Pa bërë zhurmë, ai dhe partia e tij i janë bashkuar koalicionit fitues në kryeqytet Vetëvendosje-AKR.

Në njoftimin e dhënë në “Facebook”, Begolli ka shkruar se ky koalicon është bërë për të mos e bllokuar qeverisjen e Shpend Ahmetit.

“Duke mos dashur të jemi në pozitë të bllokuesit, ne si degë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Prishtinë kemi vendosur që të lidhim marrëveshje bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje, e gjithë kjo për hir të proceseve që kanë të bëjnë me zhvillimin e qytetit tonë. Prishtina dhe qytetari i Prishtinës mbi të gjitha!”, ka thënë Gent Begolli, asamblist i AAK-së, Prishtinë.

Ndërsa, në njoftimin e tij për arritjen e marrëveshjes, i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, ka thënë se ky koalicion e konfirmon shumicën në Kuvendin Komunal dhe do të mundësojë zbatimin më të shpejtë të reformave dhe përmbushjen e zotimeve.

Por Ahmeti nuk dukej edhe aq i lumtur që iu desh të bëjë koalicionin e dytë për t’i dhënë krahë Prishtinës.

Megjithëse ende dihet si janë ndarë drejtoritë, jo zyrtarisht mësohet se AAK-ja do të udhëheqë drejtorinë e Arsimin dhe atë të Inspeksionit.

Pas miratimit të Projektligjit për Kryeqytetin, jo zyrtarisht mësohet se kësaj partie mund t’i takojë edhe një prej dy nënkryetarëve, të cilët parashihen me nenin 15 të këtij projekligji.

Pas këtij koalicioni, qeverisja “Ahmeti 2” do të ketë 26 nga 51 ulëset në Kuvendin e kryeqytetit.

Lëvizja Vetëvendosje 17 ulëse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5 ulëse dhe Aleanca Kosova e Re 4 ulëse.

Edhe në mandatin e kaluar këto parti kanë bashkëqeverisur kryeqytetin.

Por, në garën e balotazhit AAK-ja ishte rreshtuar me LDK-në, ndonëse vetë Begolli kishte thënë se nuk do të përkrahnin asnjërin kandidat në balotazh.

Begolli kishte munguar edhe kur ish-kandidati i partisë së tij për të parin e Prishtinës, Arbër Vllahiu, kishte zyrtarizuar koalicionin me Arban Abrashin.

Përderisa Vllahiu gjatë fushatës vazhdimisht ka përqeshur punën e Ahmetit, Begolli ishte shfaqur më i kujdesshëm ndaj ish-shefit të tij në komunë.

Me kthimin e Vllahiut në zyrën për media të Qeverisë, Begolli ka udhëhequr lidhjen e koalicionit me Ahmetin.