Arbëri

Ambulancat e fshatrave të Gollakut s’kanë laboratorë e as që pritet të kenë

Vetëm një herë në javë është e hapur ordinanca mjekësore në fshatin Dabishec.

Mjeku, i cili tri herë në javë qëndron në fshatin fqinj, Keçekollë, të enjten është në shërbim të atyre pak banorëve që kanë mbetur këtu, raporton emisioni 038 i KTV-së.

Banorët shprehen se në mungesë të transportit, ata detyrohen ta presin këtë ditë për të marrë shërbime mjekësore.

Por, ata në këtë ordinancë nuk mund të kryejnë analiza laboratorike.

Ndryshe nga fshatrat e Gollakut, ku nëpër QMF-të dhe ordinancat atje mungon laboratori, një të tillë e ka Qendra e Mjekësisë Familjare në Besi.

Në këtë qendër vijnë pacientë edhe nga fshatrat përreth. Mjekët thonë se fluksi i pacientëve në ditë është mjaft i madh.

Ndërkohë, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Arben Vitia, ka thënë se laborator nuk do të ketë në asnjë fshat të Prishtinës në zonën e Gollakut. Një ndër arsyet është mungesa e laborantëve dhe e dyta ka të bëjë me pacientët.

Vitia ka thënë se në këto ambulanca nuk mund të dërgojë as më shumë barna sesa ato që i dhuron Ministria e Shëndetësisë në kuadër të listës esenciale.