Arbëri

Vështirësohet komunikacioni në Prishtinë, Ministria kërkon ngasje me kujdes

Ministria e Infrastrukturës, përmes një komunikate për media, ka bërë me dije se rruga për në Veternik, Prishtinë, po kalohet me vështirësi të mëdha.

Kjo Ministri u ka kërkuar falje të gjithë qytetarëve “për pengesat e hasura në rrugën për Veternik, ku edhe përkundër përpjekjeve të mëdha të ekipeve për mirëmbajtje të rrugëve, ku si pasojë e reshjeve të dendura të borës për vetëm 15 minuta është mbuluar terreni, andaj edhe nuk kemi mundur që t’u ofrojmë kushte më të volitshme për qarkullim”.

“U kërkojmë të gjithë ngasësve në këtë segment të rrugës, por edhe në tërë territorin e vendit që të kenë kujdes të shtuar gjatë ngasjes”, ka thënë MI në komunikatën për media.

Më tej thuhet se të gjitha ekipet e ministrisë janë në terren duke punuar që rrugët të jenë të kalueshme për qytetarët, madje edhe vet ministri Pal Lekaj është duke u interesuar në terren për punët që po bëhen në mirëmbajtjen e rrugëve.

Ministria e Infrastrukturës mbetet e përkushtuar me të gjitha ekipet e saj që janë në terren për të mundësuar qarkullim normal në tërë territorin e vendit.​