Pronarët privatë të lokaleve te Katedralja nisin punën, NPB ende s’ka shpall fituesit

09 dhjetor 2017 15:41

Katër vjet e gjysmë pas rrënimit të lokaleve të vjetra, janë hapur lokalet e para të reja në rrugën “Perandori Justinian” në kryeqytet.

Në disa të tjera janë vënë mbishkrimet “së shpejti”, si paralajmërim për nisjen e punës.

Por, ato që kanë shenjën e Ndërmarrjes Publike Banesore, e që përbëjnë shumicën e lokaleve në këtë kompleks, do të mbesin të zbrazëta edhe për një kohë, raporton “038”i KTV-së.

Ato që kanë nisur punën e të tjerat që kanë paralajmëruar atë, u takojnë ish-pronarëve të tokave, të cilëve së fundmi komuna ua ka dhënë lokalet si kompensim.

Në Ndërmarrjen Publike Banesore, e cila është pronare e këtij kompleksi, thonë se 13 lokale u janë dhënë ish-pronarëve, ndërsa për dy të tjera ende nuk ka përfunduar kontesti gjyqësor.

Për 37 lokalet e saj, kjo ndërmarrje kishte hapur e mbyllur konkursin në shtator, por tre muaj pas, ende nuk janë shpallur qiramarrësit.

Sipas zëdhënëses Ahmetaj, procesi i pranimit teknik i objektit e ka zvarritur procesin e përzgjedhjes së fituesve.

Në inspektoratin komunal thonë se vonesat kanë ardhur për shkak të mos-kompletimit të dokumentacionit nga NPB-ja. Ndërsa shtojnë se pranimi teknik është bërë pjesërisht.

Pasi u ka kërkuar pronarëve e shfrytëzuesve të rinj të lokaleve të mos bëjnë ndryshime që dalin përtej projektit, Zyba ka njoftuar se puna në këto lokale mund të fillojë.

Ndryshe, Rajmonda Ahmetaj ka njoftuar se ish-shfrytëzuesit e lokaleve të vjetra të ndërmarrjes, të cilët kanë qenë të rregullt në pagesa dhe i plotësojnë kriteret e konkursit, do të kenë përparësi në përzgjedhje.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme