Arbëri

Prishtina ende pa shtatore të Adem Jasharit

Heroi kombëtar Zahir Pajaziti, Gjergj Kastrioti Skënderbeu e ish-presidenti Ibrahim Rugovës, janë figurat historike për të cilët ka shtatore në qendër të Prishtinës.

Shumë liderë institucionalë e qytetarë, sa herë shënohet 28 Nëntori, bëjnë homazhe në veçanti pranë shtatores së Zahir Pajazitit.

Por, atyre që duan ta nderojnë edhe figurën e heroit Adem Jashari, iu duhet të vizitojnë Prekazin apo Skënderajn, pasi kryeqytetit i mungon shtatorja e tij.

Prishtina ka një shesh me emrin e heroit, derisa një fotografi e tij e vendosur për një ndeshje sportive vite më parë, ka mbetur në Pallatin e Rinisë, por që nuk ka ndonjë lidhje me të.

Organizatat e dala nga lufta ka kohë që kanë kërkuar që edhe Prishtina të ketë shtatoren e Adem Jasharit.

Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Migjen Shala, thotë se kryeqyteti është dashur qysh moti ta nderojë veprën e Jasharit. Shala tregon se një kërkesë e tillë ka kohë që u është drejtuar organeve komunale.

Sipas tij, nuk ka rëndësi lokacioni. Komuna e Prishtinës, në anën tjetër, nuk ka dhënë ndonjë afat kohor se kur kryeqytetit do t'i shtohet edhe shtatorja e Adem Jasharit. Tahiri nuk ka dhënë detaje nëse shtatorja e Jasharit do të mund të vendosej në sheshin që mban emrin e tij. Aty për momentin është përmendorja e Vllaznim-Bashkimit, për të cilën Shpend Ahmeti kishte kërkuar referendum.

E familja Jashari nuk ka dashur të flasë për këtë çështje. Bekim Jashari ka thënë se përgjegjësia dhe vendimmarrja për këtë u mbetet udhëheqësve të Komunës së Prishtinës.