Protestojnë punëtorët teknikë të gjashtë shkollave të kryeqytetit për t’i marrë pagat

Protestojnë punëtorët teknikë të gjashtë shkollave të kryeqytetit për t’i marrë pagat

10 nëntor 2017 11:41

Punëtorët teknikë të gjashtë shkollave në kryeqytet kanë protestuar para Komunës së Prishtinës, në kërkim të pagave të tyre.

Atyre u ka prirë kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili tha se është hera e tretë që këta punëtorë janë detyruar të protestojnë ose të bëjnë grevë për t’i marrë pagat e tyre, raporton KTV.

Ai ka fajësuar kompaninë MSS dhe Komunën e Prishtinës për moskryerje të obligimeve ndaj punëtorëve, duke thënë se gjendja e punëtorëve është e vështirë, pasi shumica e tyre kanë obligime ndaj bankave.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i nënkryetarit të Prishtinës, Muhedin Nushi. Ky i fundit protestën e ka quajtur politike, pasi sipas tij, ka pasur një marrëveshje që pagesat të dalin deri të hënën. Ndërsa vonesat i ka lidhur me vonesat për buxhetin në institucionet qendrore. Por, Azemi i është kundërpërgjigjur Nushit, duke thënë se protesta nuk është aspak politike, pasi Nushi dhe punëtorët tjerë të komunës i kanë marrë pagat, ndërsa punëtorët teknikë jo.

Pas një takimi të shkurtër, Nushi e Azemi janë dakorduar që pagesat të bëhen deri të hënën. Ndërsa në rast të moskryerjes së kësaj, punëtorët kanë kërcënuar me greva.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme