Si ka ndryshuar përbërja e Kuvendit Komunal të Prishtinës

Si ka ndryshuar përbërja e Kuvendit Komunal të Prishtinës

09 nëntor 2017 23:39

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka qenë ndër më të ndjekurit në mandatin e kaluar qeverisës. Për mandatin 2017/2021, përbërja e legjislativit komunal ka ndryshuar shumë.

Vetëvendosje për herë të parë radhitet si partia e parë ku kandidati për kryetar, Shpend Ahmeti, si bartës liste, ka marrë 27,127 vota. Megjithatë, qytetarët duket se nuk e votuan Vetëvendosjen në Kuvendin Komunal ashtu si Ahmetin për kryetar komune, i cili mori 38,294 vota apo 11.167 vota më shumë sesa Vetëvendosje për Kuvend Komunal. Nga përbërja e kaluar, Vetëvendosjes i mbetet vetëm Genc Sherifi, derisa 16 këshilltarët tjerë janë të rinj.

LDK-ja ka humbur primatin e të parës në Kuvend Komunal, por me vetëm dy këshilltarë komunalë më pak se Vetëvendosje, rëndësia e saj do të vazhdojë të jetë e madhe. 23,203 vota ka marrë Arban Abrashi, i cili përveç që synon postin e kryetarit, ishte edhe bartës liste. Nga përbërja e kaluar, LDK-së i mbeten Halim Halimi, Shefki Gashi, Vlora Dumoshi, Agim Gashi e Naime Osmani. Të gjithë të tjerët do të ulen për herë të parë, përveç Milazim Vitisë, i cili e përfaqësonte dikur AKR-në.

Ndryshimet më të mëdha i ka PDK-ja. Ajo nuk do të ketë Shemsi Veselin e as Laura Zherkan. Këtë parti nuk do ta përfaqësojë as Lirak Çelaj, i cili për dallim nga Ahmeti dhe Abrashi, ishte i vendosur ose kryetar ose asgjë tjetër. Blerand Stavileci, edhe pse kishte munguar nëpër mbledhje, ka arritur që si bartës liste të marrë 9,005 vota. Pas tij, radhitet ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, me 798 vota.

Fadil Gashi do të vazhdojë ta përfaqësojë AAK-në në asamblenë komunale. Të tjerët do të ulen për herë të parë pranë tij. Rita Begolli do të zëvendësohet nga vëllai i saj, Gent Begolli, i cili është më i votuari në AAK me 8,198 vota, pasi që ishte prijës i listës.

Asnjë kandidat të vjetër e asnjë me mbiemrin Pacolli nuk do ta ketë AKR-ja. Më i votuari në këtë parti është Vesel Makolli me 6, 223 vota.

Në Kuvendin Komunal të Prishtinës, nuk do të jetë më Visar Arifaj i Partisë së Fortë, pasi që kjo parti nuk ishte fare në garë. Megjithatë, një ish-anëtar i saj, Yll Rugova, do të ulet pranë Vetëvendosjes.

Lëvizja për Bashkim nuk kishte kandidat për kryetar komune dhe ishte e fokusuar në asamble, ku arriti të ketë dy këshilltarë komunalë, Agim Kuletën e Bukurie Canollin.

Alternativa do të jetë për herë të parë e përfaqësuar në këtë kuvend me Rifat Derin.

Vetëm një këshilltar komunal do ta ketë edhe Nisma për Kosovën.

Derisa ndërmarrjet publike kanë qenë mollë sherri për përbërjen e kaluar, në të renë ka anëtarë që kanë lidhje direkte me këto institucione.

Drilon Pireva nga Vetëvendosje është punëtor në ndërmarrjen publike banesore.

Feim Salihu, kryeshef i kompanisë Pastrimi, 2 herë ishte zgjedhur këshilltar komunal por ishte detyruar të japë dorëheqje. Kësaj radhe, në vend të tij do të ulet i biri Sami Salihu.

Shumë zhurmë ishte bërë edhe për ngrohtoren Termokos, drejtor i së cilës u bë Naser Canolli nga PDK-ja. Kur të flitet për këtë ndërmarrje, fjalë të mira sigurisht që do të ketë e bija e tij, Florida Canolli, e cila është femra më e votuar nga radhët e PDK-së për asamblenë komunale.

Deri tash as Abrashi e as Ahmeti nuk janë deklaruar nëse do të qëndrojnë si këshilltarë nëse e humbasin garën për kryetar.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme