Arbëri

Çfarë po ndodhë midis “Trafikut Urban” dhe dy kompanive private

Ditë me parë, kompanitë private ‘’Bleri’’ dhe ‘’Ardhmëria’’ kishin një mosmarrëveshje me “Trafiku Urban” rreth linjave B3 ku operojnë nga kryeqyteti deri në Bardhosh dhe anasjelltas. Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte paralajmëruar qarkullimin e autobusëve të ‘’Trafikut Urban’’ në linjën 3, duke treguar se këta autobusë nga Kodra e Trimave do të vazhdojnë rrugën drejt Bardhoshit. Por, qarkullimi i autobusëve të rinj të ‘’Trafikut Urban’’ ishte penguar nga kompanitë private.

Halil Mustafa, kryeshef ekzekutiv i ‘’Trafikut Urban’’ në Prishtinë, sqaron për Radio Kosovën se kanë pasur pak telashe me dy kompani private rreth linjave B3, për shkak se ata kanë pasur frikë se ‘’Trafiku Urban’’ do t’i marrë të gjitha linjat dhe se ata do të mbesin pa punë. Mirëpo, sipas Mustafës, kjo nuk qëndron. Ai thotë se do ketë linja mikse për të mundësuar menaxhimin nga ‘’Trafiku Urban’’.

“Do të bëjnë instalimin e GPS, që ne t’i kemi në monitorim, dhe në të njëjtën kohë pastaj do të bëhet edhe përpilimi i orarit të përbashkët”, thotë Mustafa.

Përfaqësuesi i kompanive private, Kujtim Deliu, tha për Radio Kosovën se Komuna e Prishtinës i solli autobusët e ‘’Trafikut urban’’ pa paralajmërim. Ai theksoi se ende nuk është bërë marrëveshje rreth linjave me ‘’Trafikun Urban’’.

“Ka pasur biseda, mirëpo jo marrëveshje konkrete për t’i definuar këto gjëra, i kemi edhe ne do pika që nuk mund të pajtohemi, duhet të bisedojmë ma gjerë për këto gjëra për të arritur një marrëveshje”, thekson Deliu.

Ndërsa, Mustafa thotë se nuk kanë për qëllim t’i dëmtojnë kompanitë private, por vetëm të bashkëpunojnë me to.

‘’Nuk jemi të interesuar të largojmë njerëz prej pune, e as prej biznesit, por jemi të interesuar të bashkëpunojmë, ose fitimi që akumulohet të ndahet bashkë me “Trafiku Urban”, thotë Mustafa.

Kompanitë private “Ardhmëria’’ dhe “Bleri” në linjën 3B kanë operuar që 15 vite, ndërsa me ardhjen e autobusëve publikë, ato vazhdojnë prapë të mbajnë linjat e tyre edhe pse ende nuk kanë arritur marrëveshje.