Promovohet aktivizimi qytetar në Prishtinë, “Panairi i Vullnetarëve” mundësi për ta

Promovohet aktivizimi qytetar në Prishtinë, “Panairi i Vullnetarëve” mundësi për ta

25 tetor 2017 14:18

Është hapur “Panairi i Vullnetarëve” në Prishtinë, i cili po shihet si një mundësi që qytetarë të moshave të ndryshme të angazhohen në punë vullnetare.

Organizatorja e këtij panairi, Ajete Kërqeli nga D4D, tha se përmes këtij organizimi synohet promovimi i punës vullnetare dhe aktivizimi qytetar.

Ajo tha se janë rreth 33 organizata që po marrin pjesë në këtë panair, ndërsa për zhvillimin e këtij aktiviteti është zgjedhur sheshi “Zahir Pajaziti”, në mënyrë që panairi të jetë sa më i qasshëm për qytetarë të moshave të ndryshme.

“Kemi diku rreth 33 organizata, të cilat po marrin pjesë në këtë panair dhe po prezantojnë punën e tyre dhe mundësitë për angazhim për vullnetarë. Po tentojmë të promovojmë një garë të gjerë të aktiviteteve që vullnetarët të mund të angazhohen, e jo ndoshta vetëm ato idetë që ne i kemi me marrë pjesë në aktivitete ditore ose jo. Po tentojmë me promovua angazhim më afatgjatë dhe në sfera të ndryshme”, tha ajo.

Kërqeli tha se herën e kaluar kanë pasur rreth 400 vizitorë, ndërsa theksoi se presin edhe kësaj radhe numër të përafërt të tyre.

Drejtoresha e OJQ-së “Zana”, Tahire Gashi tha për KosovaPress, se edhe pse vepron në Klinë, organizata që ajo drejton ka projekte edhe në nivel vendi, ndërsa vullnetarët aty kanë mundësi që gjatë angazhimit të tyre të ndërtojnë kapacitetet e tyre.

OJQ “Zana”, siç tha ajo, ofron edhe programin e shkëmbimit të përvojave me të rinjtë nga Evropa.

“Këtu sot jemi në Panairin e Punës për Vullnetarë, kërkojmë vullnetarë të ri për projektet tona. Ne punojmë me tri grupe kryesore: me gra, me të rinjtë dhe me shërbyesit civil. Vullnetarët që do të jenë pjesë e organizatës tonë, së pari do të ndërtojnë kapacitetet e tyre për mirëmbajtjen e administratës, për aktivitetet në teren dhe varësisht prej fushave që na vijnë vullnetarët ne bëjmë edhe ndarjen e programeve”, tha ajo.

Ndërkaq për Edi Bushatin, angazhimi si vullnetar për një vit në Kuvendin e të Rinjve të Prizrenit është shumë i dobishëm pasi që tani njihet edhe si përvojë pune.

Si student që është, ai tha për KosovaPress se puna si vullnetar e ka ndihmuar të gërshetojë teorinë me anën praktike.

“Përvoja të cilën e fiton gjatë punës vullnetare është shumë e madhe dhe me benifite tjera. Rasti i fundit është kur puna vullnetare po njihet si përvojë pune”, tha ai.

Kjo është hera e dytë që në Prishtinë organizohet një panair i tillë nga Instituti Demokracia për Zhvillim në kuadër të projektit “Vullnetarizmi për Zhvillim: Promovimi i vullnetarizmit dhe qytetarisë aktive në Kosovë”.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme