KEDS mëson fëmijët se si të kursejnë energjinë

KEDS mëson fëmijët se si të kursejnë energjinë

21 tetor 2017 13:18

Në kuadër të përgjegjësisë shoqërore të Korporatës, KEDS ka filluar projektin e “Efiçiencës së Energjisë Elektrike” me nxënës të shkollave fillore.

Në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës janë përzgjedhur në fazën pilot 4 shkolla.

Nën ligjërimin e studentëve të KEDS Akademisë, lidhur me masat efiçientë që duhet t’i zbatojnë në shtëpitë e tyre, janë pajisur me njohuri të gjithë nxënësit e klasave të katërta të shkollave fillore “Shkëndija” në Hajvali, “Andon Zako - Çajupi” në Bardhosh, “Hilmi Rakovica” në Kodër të Trimave. Pilot projekti përfundon me nxënësit e shkollës fillore “Nazim Gafurri” po në qytetin e Prishtinës.

Nxënësve u është mësuar nga studentët e trajnuar të KEDS Akademisë përdorimi sa më efiçient i të gjitha pajisjeve shtëpiake që funksionojnë me energji elektrike.

Menaxherja e departamentit të komunikimeve në KEDS-së, Nexhmie Arifaj ka deklaruar se ky projekt është në vazhdën e shumë projekteve që ka ndërmarrë KEDS-i në fushën e përgjegjësisë shoqërore. Arifaj po ashtu tregoi se me qëllim që ligjërata të bëhet më atraktive për nxënësit, ata kanë përfshirë edhe animacione si Elmeni, të cilat do iu ndihmojnë nxënësve që t’iu mbesin në kujtesë më shumë këshillat që KEDS i ka ndarë me ata.

Ndërkaq, mësimdhënësja e shkollës fillore “Hilmi Rakovica”, Pranvera Muqiqi këtë projekt të KEDS-it e ka konsideruar të qëlluar dhe të domosdoshëm për vetëdijesimin e nxënësve për kursimet energjetike.

Ligjëruesja e këtij projekti e cila njëherëësh është edhe studente e KEDS Akademi, Marjeta Dobra tha se qëllimi i këtyre ligjëratave është vetëdijesimi i nxënësve të klasave të katërta lidhur me kujdesin ndaj energjisë elektrike. Ajo shtoi se kanë synim që përmes fëmijëve të transmetohet mesazhi për efiçiencën e energjisë edhe tek familjarët.

Ligjëratat kanë qenë interaktive dhe është kërkuar në vazhdimësi edhe aktivizimi i nxënësve, përderisa maskota e përgatitur nga KEDS ka bërë që trajnimi të jetë edhe shumë atraktiv dhe i pranueshëm për nxënës.

Nxënësja e klasës së katërt, Brisilda Beka, tha se ajo ka mësuar për ruajtjen e rrymës.

KEDS të njëjtën kohë ka përgatitur edhe broshurën përkatëse që i është shpërndarë të gjithë nxënësve që kanë qenë pjesë e trajnimit.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme