Punëtorët teknikë të shkollave të Prishtinës do vazhdojnë grevën derisa t’i marrin pagat

Punëtorët teknikë të shkollave të Prishtinës do vazhdojnë grevën derisa t’i marrin pagat

18 tetor 2017 12:35

Sindikata se Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës, së bashku me përfaqësuesit e punëtorëve teknikë të gjashtë shkollave të komunës së Prishtinës, kanë marrë vendim që të vazhdojnë grevën deri në marrjen e pagave të tyre.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi tha për këtë gjendje alarmante të punëtorëve teknikë, fajtor kryesor është Qeveria e Kosovës e cila nuk i ka alokuar mjetet tek komuna e Prishtinës.

Azemi, duke i mbështetur punëtorët teknikë, ka bërë të ditur se nuk do të vazhdojnë të punojnë nëse pagat nuk i marrin dhe nuk zbatohet ligji dhe marrëveshja kolektive.

“Për këtë ngufatje të gjendjes çfarë kemi, fajtor kryesor sipas informatave zyrtare është Qeveria e Kosovës e cila nuk i ka alokuar mjetet tek Komuna e Prishtinës dhe Komuna e Prishtinës t’i dedikoj paratë tek kompania dhe kompania t’i përcjell tek punëtorët. Ne aty ku jemi organizuar e kemi bërë të ditur se nuk do të punojmë për asnjë sekondë në asnjë shkollë, në asnjë kompani nëse paguhen pagat dhe nuk zbatohet ligji dhe marrëveshje kolektive”, tha Azemi, raporton KP.

Ai po ashtu tha se për krerët e shtetit nuk kanë nevojë për alokim të mjeteve derisa për ata që iu shërbejnë atyre ka pengesë për alokim të mjeteve.

“Kryeministri, kryetari i shtetit, kryeparlamentari dhe të gjitha institucionet tjera, edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, do të thotë ata nuk kanë nevojë për mjete sepse asnjëherë nuk po bëhet pengesë alokimi i mjeteve. Do të thotë për ata të cilët ne shërbejmë nuk ka pengesa për alokimin, por pengesa ka për ne”, tha ai.

Ai tha se gjendja e punëtorëve është e tmerrshme pasi që ata kanë edhe kredi dhe banka po i sanksionon për shkak të mos pagesës së kësteve.

Ndërkaq,përfaqësuesi i punëtorëve teknikë i gjashtë shkollave të Prishtinës, Milaim Sopi, është deklaruar se do të vazhdojnë grevën derisa t’i marrin pagat e tyre për muajt e mbetur pa paguar.

Ai po ashtu tha se atyre nuk iu intereson fajtori i kësaj gjendje, por iu intereson vetëm t’i marrin pagat e tyre dhe t’i paguajnë kredit në bankë.

“Ne gjendemi në grevë dhe do të rrimë në grevë derisa t’i marrim pagat tona. Neve faktikisht nuk po na intereson kush është fajtori, neve na interesojnë vetëm pagat tona, t’i marrim pagat tona, t’i paguajmë kreditë që i kemi nëpër bankat tona dhe asgjë tjetër”, tha ai.

Ai tha se probleme për pagat e tyre kanë pasur edhe për muajin gusht, ku u detyruan që të organizojnë grevë për të arritur qëllimin e tyre për marrjen e pagës.

74 punëtorët teknikë të gjashtë shkollave fillore të komunës së Prishtinës kanë hyrë përsëri në grevë për shkak të mos marrjes së pagave të tyre për muajin gusht dhe shtator.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme