Hapet panairi i Agrobiznesit dhe Pijeve, AGROKOS

Hapet panairi i Agrobiznesit dhe Pijeve, AGROKOS

18 tetor 2017 11:36

Panairi Ndërkombëtar i Agrobiznesit dhe Pijeve, AGROKOS, është hapur sot dhe po shihet si një mundësi e mirë për bizneset vendore që të promovojnë produktet e tyre.

Fjalën hyrëse në ceremoninë hapëse e pati Bekim Gjafa nga kompania “Ceo”, i cili tha se këtë radhë ky panair ka marrë edhe më shumë rëndësi meqenëse Holanda ka zgjedhur të shtrijë pavionin e saj për Ballkan, pikërisht në Prishtinë.

Në emër të kryeministrit të Kosovës foli këshilltari i tij, Haki Shatri, i cili tha se janë të orientuar në përkrahjen e bizneseve dhe në shmangien e të gjitha pengesave që mund të dalin gjatë rrugës, raporton KP.

Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Gerrie Willems, u shpreh e lumtur që Holanda po merr pjesë për herë të parë me pavionin e saj në Panairin e Agrobiznesit.

Ajo theksoi rëndësinë që ka stabiliteti i një vendi për zhvillimin e bizneseve, dhe për këtë përmendi MSA-në, implementimi i së cilës ndihmon edhe zhvillimin e tregtisë së lirë.

Edhe Besian Mustafa nga Ministria e Tregtisë, potencoi rëndësinë e zbatimit të MSA-së.

I pranishëm në këtë ceremoni të hapjes së panairit ishte edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili tha se panairet që i organizon “CeoKos” janë shumë të rëndësishme për komunën e Prishtinës.

“Gjithmonë do të jemi përkrah jush për të realizuar panaire të tilla”, u shpreh ai.

Të pranishëm në hapje të panairit ishin edhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, si dhe deputeti Albin Kurti, me ç’rast vizituan panairin dhe provuan disa nga produktet e prezantuara në kuadër të panairit, i cili do të zgjasë deri më 20 tetor.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme