Kush ishte Prefekti i parë i Prishtinës?

Kush ishte Prefekti i parë i Prishtinës?

11 tetor 2017 12:25

Studiuesi Bajram Mjeku, në profilin e tij në Facebook, ka paraqitur një portret interesant për Prefektin e parë të Prishtinës, Hysen Prishtinën dhe të arriturat e tij.

Ky është postimi i tij:

“Në vitin 1941, Prefekturën e kryeqytetit të Kosovës e drejtonte Hysen Prishtina, djali i fisnikut shqiptar, Xhemal Beg Prishtina.

Hysen Prishtina u lind më 16 mars të vitit 1916 në Prishtinë. Ai në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar mbaroi studimet në Fakultetin e Agronomisë në Universitetin e Romës.

Hysen Prishtina u emërua prefekt i Prishtinës kur ishte 25 vjeç. Gjatë kohës sa ishte prefekt, punoi që Prishtinës orientale t’i jepte pamje oksidentale.

Gjatë katër viteve të qeverisjes së tij, arsimi fillor dhe ai i mesëm në Prishtinë u avancuan vrullshëm. Në vitin 1941 u hapën shkolla fillore. U hap edhe Liceu Sami Frashëri në Prishtinë. Në këtë kohë u hap edhe një fabrikë për prodhimin e sixhadeve.

Po këtë vit Hysen Prishtina lëshoi dekret, përmes së cilit kërkoi që institucionet shtetërore dhe secili dyqan në Prishtinë të vendoste flamurin kombëtar me rastin e 28 Nëntorit, ditës së pavarësisë së Shqipërisë.

Në këtë kohë trazirash, veç angazhimit të mrekullueshëm si prefekt, Hysen Prishtina i mori në mbrojtje të administratës së tij të gjitha familjet hebreje që jetonin në Prishtinë.

Deri në fund të vitit 1944, komunistët pushkatuan dhe futën në burgje shumë fisnikë të Prishtinës. Më fisnikët ishin Shyqri Beg Ramadani, Haxhi Hysë Daka, Mustafë Haxhi Agushi, Malush e Hamdi Kosova, Xhemal e Sylejman Beg Prishtina, pastaj familjet Staka, Domaniku, Efendiu, Vala, Henci, Batalli.

Pas fitores së kampit komunist, Hysen Prishtina migroi së pari në Itali, pastaj në Turqi e Belgjikë. Vitet e fundit të jetës së tij i kaloi në Toronto të Kanadasë. Ndërroi jetë në moshën 75 vjeçare më 14 qershor të vitit 1991”, ka shkruar Mjeku.

Image

Komentet

Shto koment

Të ngjashme