Hoti: Ligji për Prishtinën, i nevojshëm, por VV të mos fshihet pas këtij ligji për dështimet në qeverisje Foto: Koha / ilustrim

Hoti: Ligji për Prishtinën, i nevojshëm, por VV të mos fshihet pas këtij ligji për dështimet në qeverisje

07 tetor 2017 15:50

Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka reaguar ndaj miratimit në Qeveri të Ligjit për Prishtinën.

Hoti, përmes një statusi në Facebook, ka thënë se sikur Lëvizja Vetëvendosje të mos bëhej bashkë me PDK-në për ta rrëzuar Qeverinë, “ligji për Prishtinën do të ishte tashmë në fuqi, dhe buxheti i Komunës së Prishtinës do të planifikohej dhe aprovohej sipas ligjit të ri”.

Ai theksoi se Ligji për Prishtinën është i nevojshëm pa dyshim si dhe hap perspektivë të mirë për Prishtinën.

“Por, mungesa e ligjit nuk e ka ndaluar askënd të mos e ndërtoj asnjë shkollë, asnjë qendër mjekësore, asnjë sallë sportive. Të mos e pastrojë qytetin, të mos aprovoj planet detale rregulluese për lagje”, ka kritikuar Hoti qeverisjen e Vetëvendosjes në Prishtinë, raporton Koha.net.

Ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti, shtoi se ligji do të rrisë buxhetin e Prishtinës, “por mungesa e ligjit nuk është arsye pse të hyrat vetanake të Prishtinës kanë rënë me miliona euro”.

Kujtojmë se Ligjin për Prishtinën, Qeveria e ka proceduar të premten (6 tetor, 2017) për votim në Kuvend, e me të cilin Prishtinës i njihet ky status dhe njëkohësisht i rriten kompetencat në siguri publike, në mbrojtje shëndetësore dhe në shërbimet publike, si dhe i shtohen të hyrat nga buxheti qendror, shkruan sot Koha Ditore.

Kësisoj, pas miratimit të ligjit në Kuvend, Prishtina do të përfitojë një grant shtesë në lartësinë jo më pak se 4 për qind e grantit të përgjithshëm të komunave, e bazuar në ndarjen e fundit, i bie një përfitim prej rreth 6 milionë eurosh. Po kështu, do të mundë të themelojë edhe ndërmarrje publike, pa pëlqimin paraprak nga Qeveria.

Veç kësaj, për kryeqytetin policia do ta themelojë një Drejtori të veçantë.

Projektligji është miratuar në kohën kur Kosova ndodhet në pikun e fushatës për zgjedhjet lokale.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme