Projektligji nuk e bën Pallatin e Rinisë pronë të Prishtinës Foto nga arkivi / Koha Ditore

Projektligji nuk e bën Pallatin e Rinisë pronë të Prishtinës

07 tetor 2017 10:41

Ka marrë udhë bërja e kryeqytetit me Ligj.

Këtë dokument, Qeveria e ka proceduar të premten për votim në Kuvend, e me të cilin Prishtinës i njihet ky status dhe njëkohësisht i rriten kompetencat në siguri publike, në mbrojtje shëndetësore dhe në shërbimet publike, si dhe i shtohen të hyrat nga buxheti qendror, shkruan sot Koha Ditore.

Kësisoj, pas miratimit të ligjit në Kuvend, Prishtina do të përfitojë një grant shtesë në lartësinë jo më pak se 4 për qind e grantit të përgjithshëm të komunave, e bazuar në ndarjen e fundit, i bie një përfitim prej rreth 6 milionë eurosh. Po kështu, do të mundë të themelojë edhe ndërmarrje publike, pa pëlqimin paraprak nga Qeveria.

Veç kësaj, për kryeqytetin policia do ta themelojë një Drejtori të veçantë. Por, Projektligji nuk ia kalon kryeqytetit pronësinë mbi Pallatin e Rinisë.

Forumet vendimmarrëse në kryeqytet do të jenë të njëjtat, sikur janë tash në Komunën e Prishtinës. Janë paraparë vetëm pak ndryshime te kabineti i kryetarit. Ai do t’i ketë dy nënkryetarë dhe tre këshilltarë.

Ka gati një dekadë prej kur është miratuar Kushtetuta, neni 13 i së cilës precizonte që “Kryeqyteti i Republikës së Kosovës është Prishtina” dhe që “Statusi dhe organizimi i kryeqytetit rregullohet me ligj”. Prej atëherë, ligji nuk është miratuar, ani se janë bërë disa drafte deri tash dhe, madje, një nga ta, në 2009-n ishte përcjellë edhe në Kuvend, por një vit më vonë Legjislativi e kishte kthyer mbrapsht, me kërkesën për t’u bërë disa ndryshime.

Projektligji është miratuar në kohën kur Kosova ndodhet në pikun e fushatës për zgjedhjet lokale. (Më shumë detaje mund të gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme