Arbëri

Hoti: Ahmeti nuk po e thotë të vërtetën për parkingun nëntokësor te Filologjiku

Descriptive Text

Avdullah Hoti, ish-nënkryetar i Prishtinës në kohën e qeverisjes së Isa Mustafës në kryeqytet, ka thënë se projekti i parkingut nëntokësor te Fakulteti Filologjik ishte nisur nga qeverisja e Mustafës, e është aktualizuar nga Shpend Ahmeti në fund te mandatit te tij.

“Në Komitetin për Partneritet Publik-Privat, që kryesohet nga Ministri i Financave dhe përbëhet edhe nga katër ministria të tjerë, ky projekt është trajtuar në afat të rregullt ligjor. Projekti i sjellë nga Komuna e Prishtinës, ka përfshirë edhe një mini qendër tregtare apo pjesë komerciale me lokale si pjesë e parkingut. Dalja e pjesës komerciale ka qenë në rrugën kryesore përballë katedrales, duke filluar nga Radio Kosova dhe lartë rrugës kryesore”, ka thënë Hoti, që ka qenë ministër i Financave mandatini e kaluar e tash është shef i deputetëve të LDK-së e Alternativës në Kuvend.

Hoti ka thënë se Komiteti për PPP ka kërkuar që komuna të heq nga projekti pjesën komerciale, pasi është vërtetuar se kthimi i investimit në këtë projekt nuk ndikohet nga përfshirja ose jo e të hyrave nga pjesa komerciale në projekt të parkingut.

“Shpendi nuk ka pranuar të bëjë këtë. Arsyen e di ai vetë”, ka thënë Hoti, përcjell Koha.net. “Po ashtu, Universiteti i Prishtinës e ka kundërshtuar projektin si të tillë. Komiteti për PPP i ka kërkuar Shpendit të arrijë marrëveshje me Universitetin e Prishtinës, si shfrytëzues i kësaj parcele komunale. Brenda kampusit universitar është e pakuptimte futja e çfarëdo elementi komercial, pasi aktivitetet biznesore dhe komerciale janë larguar nga kampusi para shumë vitesh me vendim të Rektoratit. Te gjitha këto mund të dokumentohen me procesverbalet e mbledhjeve të Komitetit për PPP”, ka thënë tutje ai.

Hoti ka thënë se Ahmeti nuk po e thotë të vërtetën.

“Të ishte kujdesur Shpendi për Prishtinën sa është kujdesur për propagandën në Facebook dhe sharjet e fyerjet ndaj të tjerëve, qyteti i Prishtinës nuk do të vendnumëronte dhe degradonte këto katër vite”, ka thënë Hoti.

Ditë më parë Ahmeti, duke u ndalur te mobiliteti dhe parkingjet në lagje, ka thënë se në hyrje të qytetit do të jenë katër parkingje, por gjithashtu është paraparë edhe projekti nëntokësor te Fakulteti Filologjik.

“Do t’i bëjmë biletat e integruara në transportin publik, që një biletë vlen për krejt transportin publik, do t’i kemi programet e lirimit jo vetëm për të moshuarit por do t’i kemi programet e lirimit edhe për nxënësit dhe studentët në komunën e Prishtinës, do ta ndërtojmë stacionin e ri qendror të transportit publik në Prishtinë dhe siç e potencova e kemi prioritetizimin e shtigjeve të biçikletave, shtigjeve pedonale, shtegun e biçikletave prej Gërmisë në Badovc, rripin e gjelbër pedonal, që do të jete një rrip i ecjes prej rrethi të flamurit e deri në Gërmi, dhe po ashtu dua ta potencojë edhe një gjë shumë të rëndësishme, ajo është zgjidhja e problemit të parkingut në komunën e Prishtinës.... Është interesant që parkingun nëntokësor tek fakultetit filologjike e kemi gati qe 1 vit e gjysme por që koalicioni PDK-LDK na e bllokojë për një vit e gjysmë, u çliruam goxha më 11 qershor, do të çlirohemi më shumë më 22 tetor, nuk do të ketë ndalesa të tilla”, tha ai.