Arbëri

Qytetarët e Prishtinës tash mund t’i shohin shpenzimet e komunës online

Qytetarët e Prishtinës tashmë do të kenë mundësinë që të informohen për të gjitha vendimet e ndërmarra nga kryetari i komunës, përmes platformës digjitale ‘Open Data’, e cila është lansuar sot.

Platforma digjitale “Open Data”, e cila përmban 130 dokumente në 14 kategori të ndryshme, të cilat mund të shkarkohet çdo moment. Platforma përmban informatat e pronave komunale deri tek subvencionet, përfshirë të gjitha vendimet që Kryetari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti ka marrë.

Me këtë rast, Ahmeti ka vlerësuar lansimin e platformës “Open Data”, si rezultat të punës së madhe që është bërë në avancimin e transparencës. Ndërkaq, ka ftuar edhe komunat e tjera të ndjekin këtë shembull në mënyrë që të rrisin llogaridhënien ndaj qytetarëve të tyre.

“Me ndihmën e UNDP kemi punuar në platformën e ‘Open Data’, me ç’rast të gjitha informatat që i kërkojnë qytetarët t'i kenë lehtë. Unë iu bëj thirrje edhe të tjerëve që të aplikojnë këtë sistem. Nuk është një punë që kushton shumë”, tha ai.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, e ka vlerësuar lart platformën digjitale me ç'rast ka thënë se përmes kësaj platforme qytetarët do të kenë mundësinë edhe të përpunojnë të dhënat që ndodhen aty.

“Eksperiencën e kemi marrë nga qyteti i Barcelonës prej nga edhe na ka ardhur ideja të ndërtojmë një platformë kaq llogaridhënëse. Qytetarët mund të bëjnë krahasime në mes të hyrave, shpenzimeve dhe të shohin se në çfarë forme po shpenzohen paratë e tyre... Në këtë platformë kemi 130 dokumente të të ngarkuara dhe mund të shkarkohen në çdo moment”, ka thënë ai.

Ndryshe, ndërtimi i kësaj platforme nuk përfundon me kaq, pasi, sipas Nushit, do të ketë avancime të reja në shërbim të qytetarëve.