“Pastrimi”: Shpend Ahmeti ka qenë sabotues i madh

“Pastrimi”: Shpend Ahmeti ka qenë sabotues i madh

25 shtator 2017 20:13

Kompania “Pastrimi”, ka reaguar ndaj deklaratës së Shpend Ahmetit dhe Dardan Sejdiut, duke thënë se Gjatë këtij mandati 4 vjeçar, Shpend Ahmeti ka qenë sabotuesi më i madh për t’i ofruar shërbim më të mirë qytetarëve të Prishtinës.

Sipas kësaj kompanie, Komunës vazhdimisht i janë adresuar kërkesa nga menaxhmenti i kësaj kompanie që të takohet me Shpend Ahmetin, mirëpo ai asnjëherë nuk i është përgjigjur kërkesave të tilla.

Kompania ‘Pastrimi’, thotë se arsyetimet e tij janë banale për mos funksionimin e kontejnerëve nëntokësor, ku Shpend Ahmeti po ia hedh fajin kompanisë, gjë e cila nuk është e vërtetë.

“Pranimin teknik të kontejnerëve e ka bërë qeverisja aktuale e Komunës së Prishtinës, konkretisht ish drejtori i Shërbimeve Publike, Ardian Gashi. Për një kohë KRM ”Pastrimi” ka kryer këtë shërbim, mirëpo me paraqitjen e problemeve dhe rreziqeve nga kontejnerët nëntokësor kompania e ka ndërprerë këtë shërbim. Shkresave të adresuara në Komunën e Prishtinës nga “Pastrimi” për t’u konstatuar rreziku gjatë kryerjes së shërbimit për kontejnerët nëntoksor, Komuna nuk u janë përgjigjur asnjëherë. Dikush duhet të marr përgjegjësinë në rast të lëndimit të punëtorëve ose dëmet e tjera që mund të shkaktohen.

Vendimi i gjykatës për legjitimitetin e Kryeshefit Ekzekutiv është i prerë dhe nuk ka të bëjë me shkelje ligjore, sipas Shpend Ahmetit vendimet e gjykatës nuk kanë vlerë dhe mbi këtë vendim duhet të dal fjala udhëheqësve të Komunës së Prishtinës. Sa i përket deponive ilegale, Drejtoria e Shërbimeve Publike ka shpallur tender të cilin e ka fituar një kompani private dhe gjendja ka qenë e njëjtë, prapë është detyruar që “Pastrimi” t’i largoj ato pa asnjë kompensim të vetëm. Shpend Ahmeti gjatë konferencës tha që tani, Komunës i është dhënë e drejta për të inkasuar. Shpendi do të duhej ta dinte që komuna, të drejtën për të inkasuar taksat për mbeturina e ka që nga viti 2012 me miratim të Ligjit për mbeturina dhe Rregullores së Komunës të miratuar në vitin 2012:, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se kryetari as që është interesuar për kompaninë “Pastrimi” duke u bazuar në deklaratën e tij ku thotë se iu shërben 8 komunave, pasi gjithsej janë 7.

“Operatorët privatë nuk kanë leje nga komuna e Prishtinës për shërbimin e mbeturinave, mirëpo gjatë gjithë mandatit të Shpend Ahmetit ata kanë operuar lirshëm pa asnjë pengesë nga komuna e duke i shkaktuar telashe “Pastrimit”. Plani i ri logjistik i operimit të cilin Shpend Ahmeti thotë se është gati, kjo nuk është e vërtetë dhe se ky plan nuk është projekt i komunës së Prishtinës por i GIZ-së në bashkëpunim me KRM ”Pastrimi-n” dhe Komunën i cili do të filloj të përpilohet nga muaji i ardhshëm dhe në teren do të funksionalizohet pas disa muajve. Komuna nuk ka filluar riciklimin e mbeturinave, vetëm në lagjen Dardania ka filluar ndarja e mbeturinave me projekt të GIZ-së. Kryetari i cili mundohet të flas për shërbimin e mbeturinave jep propozim që bizneset të shërbehen me kontejner 7m³, nuk e ka parasysh që hapësirat ku bizneset zhvillojnë veprimtaritë janë të vogla ndërsa një kontejner i tillë zë hapësirë të madhe. Në Komunën e Prishtinës janë mbi 4000 biznese nëse kemi parasysh vlerën e një kontejneri 7m³ atëherë kjo do të kushtonte mbi 4 milion euro që Komuna nuk do të jetë në gjendje të mbuloj këtë investim. Kjo do të shkaktonte kaos në kryeqytet.

Shpend Ahmeti ka sabotuar bashkëpunimin dhe punën me Kompaninë “Pastrimi” për t’i shërbyer qytetarëve. Shpendi e ka eliminuar Prishtinën nga “Gara për Mjedis të Pastër” duke mos nënshkruar dokumentet për plotësim të kritereve, me këtë sabotim ai Prishtinës ia ka humbur mbi 300,000.00 € , për të vetmen arsye që kompania mos të ketë rezultat.

Djegia e kontejnerëve u përmend nga Dardan Sejdiu ashtu sikur nga Shpend Ahmeti para disa muajsh i cili akuzoi Kompaninë “Pastrimi” dhe Kryeshefin Ekzekutiv për djegien e kontejnerëve, megjithëse për një shpifje të tillë muajin e kaluar Kryeshefi Ekzekutiv Feim Salihu ka ngritur një padi pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Udhëheqja e Prishtinës disa herë ka shpërndarë afishe nëpër ndërtesa dhe rrugë duke ju bërë thirrje qytetarëve që mos të paguajnë mbeturinat, ashtu sikur vet kryetari Shpend Ahmeti i cili në banesat e prindërve të tij nuk ka paguar faturën e mbeturinave.

Atëherë lindë pyetja si mund të kërkoj Shpendi nga qytetarët të paguajnë taksat e mbeturinave kur vet ai nuk e ka paguar borxhin ndaj Kompanisë “Pastrimi”.

Kush po del të jetë saboteri më i madh për 4 vite me radhë?”, thuhet në komunikatë./KSP

Komentet

Shto koment

Të ngjashme