Arbëri

Policia e Kryeqytetit, nevojë e domosdoshme

Krijimi i forcave policore të kryeqytetit ka kohë që është përmendur nga organet komunale të Prishtinës.

Ata në vazhdimësi kanë insistuar që Prishtina të ketë policinë e saj, pasi kontrolli dhe ushtrimi i rendit dhe ligjit brenda territorit të saj do të ishte më i lehtë, raporton KTV.

E së fundi me një koncept për themelimin e policisë komunale ka dalë edhe Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë.

Kjo qendër, ndër të tjera, propozon që të fillohet debati më i gjerë dhe analiza gjithëpërfshirëse për mundësitë dhe nevojat e themelimit të PKP-së.

Burim Ramadani nga SPRC, thotë se, krijimi i këtyre forcave policore do t’i kontribuonte jashtëzakonisht shumë sigurisë në kryeqytet dhe njëkohësisht do të lehtësonte punën për Policinë e Kosovës.

Në Komunën e Prishtinës e mirëpresin një plan të tillë, por janë të vetëdijshëm që fillimisht duhet të miratohet Ligji për Prishtinën.

Thonë se themelimi i policisë lokale është shumë i nevojshëm.

Ndërkohë, Ligji për Prishtinën u procedua në Kuvend vitin e kaluar nga Qeveria e Kosovës, e pritej që në qershor të miratohej, por shkaku i shpërbërjes së Kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, një gjë e tillë nuk ndodhi.